Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, e sheh me shqetësim largimin e kolegëve të tij nga FSK-ja. Ai thotë se ky duhet të jetë alarm për institucionet e Kosovës.
Veseli thotë se largime të tilla ka pasur ndër vite, por që së fundmi ky numër është shtuar, duke parë krizën e thellë ekonomike.
Ndonëse thotë se të njëjtit zëvendësohen me pjesëtarë të tillë, koha e gjatë deri në arritjen e nivelit krijon boshllëk të madh në sigurinë e vendit.
“Është një proces që ka ndodh edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës sikur në institucionet tjera. Është mjaftë shqetësuese, sepse pjesëtarët e FSK-së, në momentin që pranohen ata realizojnë trajnime të ndryshme, dhe përgatiten për mbrojtje të atdheut sipas misionit kushtetues dhe ligjor. Në momentin që ata largohen, krijohet një boshllëk në organizatë, normal që shpallen konkurse, mirëpo deri sa të arrihet niveli i përgatitjes së tyre, shkon një kohë, pra është shumë keq për Forcën e Sigurisë së Kosovës, pra është keq edhe për mbrojtjen e atdheut”, thotë ai.
Duke folur për largimin e ushtarëve të Kosovës, Koloneli në pension i FSK-së, thotë se në kohën e shërbimit në Trupat Mbrojtjes të Kosovës, kanë shërbyer me një pagë 200 euro. Të njëjtën, thotë se nuk mund ta bëjnë ushtarët aktual.
“Edhe në të kaluarën ka pasur largime por ato kanë qenë më të vogla. Të them të drejtën, gjeneratat e vjetra të FSK-së që kanë shërbyer edhe në TMK, për ta ka qenë ideali. Unë e mbaj mend që në TMK sa kemi qenë, i kemi pas pagat shumë të vogla. Një vit kemi punuar pa pagesë, dhe mandej mesatarja e pagës në TMK për nëntë vite ka qenë afro 200 euro, mirëpo ka qenë ideali shumë i madh i pjesëtarëve që të krijojmë ushtri dhe të krijojmë shtet, dhe na ka mbajt ky ideal. Tash gjeneratat e reja është më ndryshe. Në 2009 kur ka filluar Forca e Sigurisë së Kosovës, pas gjashtë muajve niveli i pagave u pat rrit dhe atë kohë ishin të mira, mirëpo me kalimin e kohës, inflacioni tejet i madh në vend, pagat e këtyre pjesëtarëve mbetën shumë të vogla”, tha ai, duke përmendur deklarimet e Qeverisë për rritje page, por që thotë se ajo nuk ka ndodhur.
E duke folur për Ligjin e Pagave, Veseli thotë se nuk është i kënaqur me ndarjen e koeficienteve. Thotë se ushtari i vendit duhet ta ketë një pagë më të dinjitetshme.
“Kam informacione për draftin e ligjit të pagave për kolegët e mi në FSK. Nuk jam i kënaqur me nivelin e ngritjes së pagave, pra nuk mjafton duke e parë krizën ekonomike dhe inflacionin. Edhe pse pjesëtari i FSK-së ka shumë benefite, por një pjesëtar me një pagë 500 euro, është shumë vështirë me përballu muajin. Ushtari i vendit duhet ta ketë pagën e dinjitetshme, kështu mendoj edhe për policinë e Kosovës, që ai të jetë i qetë dhe nuk duhet të mendojë për familjen sesi duhet ta kalojë muajin”, u shpreh Veseli.
Nga Ministria e Mbrojtjes, nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.