Site icon PrishtinaPress

Ish-këshilltari i Thaçit, Kurtit e Osmanit: Serbia e mbrojti Millosheviqin, ju kundër luftëtarëve tuaj

Këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka akuzuar krerët e institucioneve se po rrinë symbyllur karshi rastit të kërcënimit të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për të cilin u raportua se inteligjenca serbe pati në plan ta vriste për t’ia hedhur fajin Kosovës. 

Ai tha se për herë të parë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, një shtet – Kosova, në krye me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, del kundër mbrojtjes së luftëtarëve të tyre në një proces gjyqësor.

“Serbia e kishte mbështetur madje edhe Millosheviçin, që kishte kryer gjenocid në Kosovë dhe në Bosnje.Derisa, këta frikësohen nga pafajësia e krerëve të UÇK-së! Është dita e katërt dhe asnjë fjalë për deklaratën e Dick Martyt. Lufta çlirimtare në fund do të ngadhënjejë kundër akuzave të Dick Martyt, kundër propagandës ruse/serbe, kundër Prokurorisë dhe, fatkeqësisht edhe kundër symbylljes së Kurtit/Osmanit/Gërvallës”. 

Edhe nga opozita kanë kërkuar nga Presidenca e Kryeministria të dalin me deklarata zyrtare për Martyn. Megjithatë, Kurti për këtë çështje ka folur në konferncë për media, duke thënë se do të bashkëpunojnë me shtetin zviceran. 

Marty ka qenë autor i një raporti për Këshillin e Europës, në vitin 2010, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të UÇK-së, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”.

Raporti është vërtetuar praktikisht me një raport të ri nga prokurori amerikan, Clint Williamson, në vitin 2014. Vitin pasues, më 2015, është formuar pastaj Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte në Kosovë.

Exit mobile version