Petrit Karakashi sërish është avancuar në pozitë në Postën e Kosovës. Karakashi, që ka shpërndarë postimet e Lëvizjes Vetëvendosje, nga pozita e koordinatorit të Logjistikës në Postën e Kosovës është caktuar ushtrues detyre i Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore. Karakashi në pozitën e deritanishme kishte gradën 10, ndërsa si UD i drejtorit të burimeve njerëzore do ta ketë gradën 15.
Kjo nuk është hera e parë që Karakashi është avancuar prej se është emëruar bordi i përkohëshëm nga Qeveria Kurti. Ai në muajin qershor ishte emëruar këshilltar i ish-kryeshefit të Postës së Kosovës, Rafet Jasharit, por atij i është anuluar kontrata me kërkesë të Bordit të Postës pas raportimit në KALLXO.com.
KALLXO.com ka siguruar dokumentin e avancimit të Karakashit ndërsa në po të njëjtin vendim, thuhet se emërimi i tij ishte bërë pasi Departamenti i Burimeve Njerëzore kishte mbetur pa drejtor.
Karakashi në një bisedë për KALLXO.com, fillimisht i ka dhënë disa sqarime sa i përket avancimit në pozitën e re, mirëpo më pas ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me email.
KALLXO.com i ka dërguar pyetjet Karakashit me datë 11 gusht 2021, por ai nuk është përgjigjur deri në publikim të lajmit.
KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga menaxhmenti i Postës së Kosovës për këtë avancim. Në një përgjigje të shkurt, Posta e Kosovës ka njoftuar se puna e re e Karakashit do të jetë menaxhimi i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Protokollit.
Karakashi në llogarinë e tij në Facebook, ka shpërndarë disa postime të Lëvizjes Vetëvendosje më saktësisht të Kryeministrit Albin Kurti e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.
Karakashi nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com dërguar në email rreth shpërndarjes së postimeve për Albin Kurtin e Arben Vitinë. Por, KALLXO.com e ka pranuar një përgjigje nga Posta e Kosovës.
“Nuk është anëtar, e as përkrahës i asnjë partie politike”, thuhet në përgjigjet e Postës së Kosovës.
Kryesuesja e Bordit të Postës së Kosovës, Safije Beseni e kontaktuar nga KALLXO.com thotë se përcaktimi i ushtruesve të detyrave të drejtorëve në Postën e Kosovës, është zgjidhje emergjente dhe ka qëllim që të siguroj efektivitet në vazhdimësi në ndërmarrje.
Ajo shton se në raste të tilla, kryeshefja e ndërmarrjes vlerëson se kush mund të siguroj mos ndërprerje dhe efektivitet.
“Është vlerësim i KE-së, se kush mund të siguroi mos ndërprerjen e operacionalitetit për një periudhë kalimtare deri në përzgjedhjen përmes konkursit”, thotë Beseni tutje.
Karakashit në qershor i ishte anuluar emërimi për këshilltar të ish-kryeshefit të Postës së Kosovës, Rafet Jasharit me rekomandim të Bordit të Postës.
Atë kohë kryesuesja e Bordit Drejtues të Postës së Kosovës, Safije Beseni, kishte thënë se për emërimin e këshilltarëve kishte marrë vesh pas interesimit të KALLXO.com.
“Jashari ka emëruar dy këshilltar ne si BpD nuk kemi qenë të informuar dhe pasi qe e kemi analizuar procesin e emërimit, si Bord kemi rekomanduar UD KE që ky emërim të anulohet”, kishte thënë për KALLXO.com, kryetarja e bordit Safije Beseni më 23 qershor të këtij viti.
KALLXO.com ka raportuar për avancimet në Postën e Kosovës. Kjo Ndërmarrje Publike është duke audituar 111 avancimet të cilat kanë ndodhur në 8 muajt e fundit për të cilin rast raportoi edhe KALLXO.com.
Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës në korrik të këtij viti kishte kërkuar nga menaxhmeti i ndërmarrjes të shfuqizojë të gjitha avancimet që kanë ndodhur brenda kësaj ndërmarrjeje në 8 muajt e fundit.
Arsyeja e kthimit në pikën zero të këtyre avancimeve sipas Kryesueses së bordit Safije Beseni, ishte se menaxhmenti duhet të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës (nr.02/39 të datës 3 qershor 2020), i cili thotë që “të gjithë ndërmarrjet publike qendrore duhet të ushtrojnë kujdes që shpenzimet operative dhe punësimet e reja të mos cenojnë likuiditetit e ndërmarrjes”.