Site icon PrishtinaPress

Ish-drejtuesi i lartë i ‘OpenAI’: Kompania nuk ka përparësi sigurinë

Një ish-drejtues i lartë i kompanisë së teknologjisë artificiale ‘OpenAI’, i cili dha dorëheqjen në fillim të kësaj jave, tha të premten se siguria nuk është përparësi e kompanisë.

Jan Leike, i cili drejtoi ekipin e quajtur “Superalignment” të ‘OpenAI-it’, së bashku me një bashkëthemelues të kompanisë, i cili gjithashtu dha dorëheqjen këtë javë, shkruante në një seri postimesh në platformën e medias sociale X, se ai ishte bërë pjesë e kompanisë, pasi mendonte se do të ishte vendi më i mirë për të bërë kërkime në fushën e inteligjencës artificiale.

“Prej kohësh nuk kam rënë dakord me udhëheqësit e OpenAI-it në lidhje me përparësitë kryesore të kompanisë, derisa më në fund mbërritem tek një pikë ndarjeje”, shkruante zoti Leike.

Ai tha se duhet të ketë më shumë përqendrim në përgatitjen për gjeneratën e ardhshme të modeleve të Inteligjencës Artificiale, përfshirë çështje si siguria dhe analizimi i ndikimit social që ka kjo teknologji.

Ai tha se prodhimi i “makinave më të zgjuara se njeriu është një përpjekje në thelb e rrezikshme” dhe se kompania “ka një përgjegjësi të madhe në emër të të gjithë njerëzimit”.

“OpenAI duhet të bëhet një kompani ku siguria të jetë e para”, shkruante më tej zoti Leike.

Në një përgjigje ndaj postimeve të zotit Leike, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë ‘Open AI’, Sam Altman, shkruante se ai ishte “tejet mirënjohës” për kontributin e zotit Leike në kompani dhe se ishte “shumë i trishtuar që ai po largohej”.

“Zoti Leike ka të drejtë, ne kemi ende shumë për të bërë dhe jemi të përkushtuar ta bëjmë një gjë të tillë”, shkruante zoti Altman, duke shtuar gjithashtu se do të shkruante një postim më të gjatë mbi këtë temë, në ditët në vijim.

Kompania konfirmoi të premten se kishte shpërbërë ekipin e zotit Leike ‘Superalignment’, i cili u ngrit vitin e kaluar për t’u përqëndruar tek rreziqet që paraqet Inteligjenca Artificiale.

Dorëheqja e zotit Leike erdhi pasi bashkë-themeluesi dhe shkencëtari kryesor i ‘OpenAI-it’, Ilya Sutskever, njoftoi të martën se po largohej nga kompania pas gati një dekade.

Zoti Sutskever ishte një prej katër anëtarëve të bordit të cilët votuan nëntorin e kaluar për largimin e zotit Altman, gjë nuk zgjati pasi zoti Altman u kthye shumë shpejt në detyrë.

Ishte zoti Sutskever ishte ai që njoftoi zotit Altman se ishte pushuar nga puna, por më vonë tha se ishte penduar që e kishte bërë një gjë të tillë.

Ndërsa njoftoi largimin, zoti Sutskever tha se ai po punonte për një projekt të ri dhe kuptimplotë për të, por pa ofruar detaje të tjera.

Të hënën “OpenAI” bëri publike përditësimin më të fundit tek modeli i tij i Inteligjencës Artificiale, që mund të imitojë variacionet e zërit, ulje-ngritjet e tij, në përgjigjet verbale, e që madje, mund të përpiqet të zbulojë edhe gjendjen emocionale të njerëzve. /VOA

 

Exit mobile version