Ish-Drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi ka thënë se vendimin për ndaljen e trenit duhet ta marrë Kryeministri në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe pastaj vendimi të shkojë te Policia e Kosovës. Mirëpo, ky ish-zyrtar policor ka thënë se në këtë operacion duhet të futet edhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës. Madje, ai ka thënë se vetëm KFOR’i ka kapacitetet për të ndale trenin derisa ka bërë thirrje që në këtë proces të futen të gjitha mekanizmat e sigurisë përshirë edhe AKI’në.
Ish-Drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ka thënë për Gazetën Expresss, se Kryeministri i Kosovës duhet të marrë vendim që mos të lejohet hyrja e trenit të Serbisë në Kosovë. Këtë vendim, sipas tij, duhet të merren në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila do të duhej të zbatonte përmes organeve të sigurisë, siç është Policia dhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës.
“Në fakt, pushtet Ekzekutiv është Qeveria. Mekanizëm për zbatimin e vendimeve që dalin nga Ligjet dhe Kushtetuta, në këtë rast edhe nga deklaratat e Presidentit, e ka Ministria e Punëve të Brendshme”, ka thënë Selimi, për Express.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se hyrja e trenit është ilegale derisa ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të mos lejojnë hyrjen e tij në Kosovë.
Kryeministri Isa Mustafa dhe as Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni s’e ka thënë asnjë fjalë dhe ende s’kanë marrë ndonjë vendim përfshirë edhe ndalimin e trenit.
Mirëpo para se të merrej një vendim për ndalimin e trenit, sipas Selimit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të duhej të angazhonte policinë dhe inteligjencën në operacione speciale për të ndalur hyrjen e trenit në Kosovë.
“Nuk mjafton vetëm policia. Këtu duhet të ketë një qëndrim të Kryeministrit që obligon gjithë sektorin e sigurisë të veprojë në këtë drejtim”, ka shtuar ai.
Në këtë situatë, ish-drejtori i Policisë pyet se ku është KFOR’i për të mos lejuar cenimin e integrtitetit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Ndërkohë, thotë se Policia e Kosovës s’ka kapacitet për të vepruar në këso rastesh derisa kërkon ndihmën edhe të KFOR’it për vendosjen e pengesave fizike për të mos lejuar hyrjen e trenit në Kosovë.
“KFOR’i duhet edhe fizikisht të pengojë hyrjen e trenit serb në Kosovë. Këtë duhet ta bëjë duke ndihmuar Policinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Selimi ka thënë se ka rrezik që nëse dështon Shteti atëherë do të ketë veprime prej individëve ose grupacioneve që do të mund të sillnin pasoja për Kosovë.