Site icon PrishtinaPress

Ish drejtori i policisë e quan Sveçlën praktikant të dobët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me bashkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme me Ministrinë e Administratës Publike, duke thënë që tani pas dy vitesh po vërehet rezultati negativ i këtij bashkimi dhe keqmenaxhimi.

Qalaj përmes një postimi në Facebook, është shprehur se këto dy ministri që nuk kanë asgjë të përbashkët dhe mbulojnë fusha krejtësisht të kundërta njëra me tjetrën, që kur kanë filluar të funksionojnë si një, po krijojnë shpenzime më të larta, duplikifim të kompetencave të departamenteve dhe mungesë të llogaridhënies.

“Për shembull, për pozitën e Drejtorit të Departamentit të Prokurimit sot paguhen 3 drejtorë njëkohësisht: drejtori i MPB, drejtori i ish-MAP, ndërsa së fundmi është caktuar një Ushtruese e Detyrës së Drejtorit të Prokurimit. Kjo është shkelje e rëndë e ligjit dhe është keqmenaxhim i buxhetit të shtetit. Ndërsa janë dhjetra pozita të njejta për të cilat paguhen nga 2 zyrtarë. Së fundmi, Qeveria ka rritur numrin e këshilltarëve në MPB nga 6 në 10 duke u arsyetuar për vëllimin e shtuar të punës si rezultat i fuzionimit. As edhe kjo rritje e këshilltarëve nuk e ka ndihmuar Ministrin Svecla i cili ka realizuar vetëm 15% të programit legjislativ, duke qenë ministri më i dobët i Qeverisë.”, ka shkruar Qalaj.

Ai ka theksuar se tërë struktura e brendshme e MPB-së është jo funksionale pasi ministri Sveçla ka bllokuar zbatimin e Rregullores për organizimin e brendshëm të kësaj ministrie, e cila ka hyrë në fuqi në janar 2021.

“Pra, ministri ka bllokuar zbatimin e një rregullore e cila ka kaluar procedurat e rregullta të miratimit kinse për shqyrtim të saj por në praktikë tash e 10 muaj asnjë veprim nuk është ndërmarrë për ndryshimin e kësaj rregullore. MPB ka nevojë për një Ministër të Brendshëm dhe jo për një praktikant të dobët si Xhelal Sveçla, i cili rrethohet me një armatë të “këshilltarëve” e zëvendës ministrave puna e të cilëve nuk po shihet që gati 1 vit.”, ka shkruar Qalaj.

Exit mobile version