Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës, thotë Daniel Fried, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit.
Sipas tij, SHBA-ja nuk ka qenë kurrë kaq e zemëruar me Qeverinë e Kosovës dhe një gjë e tillë është “mjaft shqetësuese”.
Kryeministri Albin Kurti dhe ekipi i tij “e kanë marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë. Ata kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë që do të jetë e vështirë për ta që ta rregullojnë”, thotë Fried për Radio Evropa e Lirë.
Reagimi vjen pas kritikave të ashpra që bëri i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në adresë të Kurtit, të cilin e fajësoi për mungesë bashkëpunimi në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
“Është e qartë që Kosova është duke i injoruar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe duke vepruar në një mënyrë që ne nuk e inkurajojmë. Unë kurrë nuk e kam parë administratën e SHBA-së kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës, jo në këta 15 vjet që nga shpallja e pavarësisë.
Qeveria amerikane i ka inkurajuar kosovarët që të mos e bëjnë këtë problem në veri dhe kosovarët na kanë injoruar. Dhe, rezultatet janë pikërisht ato për të cilat i kemi paralajmëruar”, shprehet ai.
Fried tutje thotë se këtë e mbështet në faktin se nuk ka shpjegim tjetër se pse ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe Gabriel Escobar do të ishin aq të irrituar në dy intervista me gazetarë që kishin.
“Unë nuk kam dyshim në supozimet e mia. Përndryshe nuk mund ta shpjegoj se përse ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe Gabriel Escobar do të ishin aq të irrituar. Unë supozoj se ata i kanë arsyet e tyre. Unë supozoj se arsyet e tyre bazohen në injorimin që u bëri Kurti paralajmërimeve të tyre dhe në të konsideruarit e mbështetjes së SHBA-së si të mirëqenë – çfarë ka qenë gabim dhe e habitshme.
Ai [Kurti] e ka bërë presidentin e Serbisë [Aleksandar] Vuçiq të duket empatik. Nuk kam menduar se kjo është e mundur, marrë parasysh se serbët janë burim i problemit, sepse janë ata që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe refuzojnë ta njohin realitetin se Serbia nuk do ta ketë më kurrë [Kosovën]. Por, pavarësisht kësaj, Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në për asnjë interes që unë mund ta identifikoj. Është mjaft shqetësuese. Unë nuk e kam parë kurrë Qeverinë amerikane kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës”, është shprehur ai.
I pyetur se apo shkon Kurti po shkon shumë larg në rrethanat aktuale, Fried thotë se Kurti ka bërë gabim në gjykime.
“Po, mendoj se ka bërë gabim në gjykime. Ai e definon sovranitetin e Kosovës në atë mënyrë që e bën të ndihet se mund të kërkojë asgjë tjetër, përveç maksimumit. Dhe, duke vepruar kështu, ai e ka bërë situatën e keqe edhe më të keqe”, shprehet ai.
Fried tutje thotë se Qeveria e Kosovës abuzoi me besimin amerikan dhe se Escobar e bëri të qartë se Kurti dhe ekipi i tij e kanë marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë, dhe siç shprehet Fried “kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë që do të jetë e vështirë për ta që ta rregullojnë, por më mirë të nisin e ta bëjnë një gjë të tillë”.
“Mendoj se ai po shpreh zhgënjimin e administratës [amerikane] me Kurtin dhe po e bën të qartë se Kurti dhe ekipi i tij e kanë marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë. Ata kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë që do të jetë e vështirë për ta që ta rregullojnë, por më mirë të nisin e ta bëjnë një gjë të tillë.
E përsëris, burimi afatgjatë i problemit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi vjen nga Beogradi, nga revanshizmi serb, ndërsa Kurti ka arritur të grindet me SHBA-në. Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës në atë mënyrë që unë s’e kuptoj. Unë nuk e di se çfarë ka menduar ai [Kurti]”, thotë ai.