Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli, ka kritikuar politikën e kryeministrit Kurti që po e zhvillon me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Ai këtë e krahasoi me atë që ka bërë Sali Berisha në vitet e 90-ta.
“Albin Kurti ka filluar t’i imitojë taktikat politike te Sali Berishës në vitet ‘90. Që kur i ngushtohej hapësira për manovrim të brendshëm, tentonte të përfitonte politikisht duke i përdorur politikanët shqiptarë që jetonin jashtë shtetit shqiptar, duke e përkrahur herën njërin lider kundër tjetrit. Këtë strategji ka filluar ta ndjekë Albin Kurti në Luginë dhe në Maqedoninë e Veriut, për shkak të presioneve të brendshme. Pas dështimit të turpshëm me Blerim Rekën i është kthyer përsëri kësaj aventure politike”.
Kasolli thotë se kjo është lojë të rrezikshme e cila bie në kundërshtim me traditat e projektit modern nacional shqiptar.
“Ai po gjen mbështetje edhe të politikan mediokër sikur kryetari i Tetovës, i cili deklaroi në tubimin e mbrëmshëm se Albin Kurti është kryeministër i gjithë shqiptarëve. Nonsens logjik. Kurse ky i fundit i entuziazmuar nga ajo shfaqje karanvaleske nuk la pa e rekomanduar Maqedoninë e Veriut se si duhet të orientohet në aspektin gjeostrategjik. Dhe kënd po e këshillon? Një shtet që e ka Ali Ahmetin liderin kryesor të shqiptarëve, ku pa orientimin e tij të qartë kombëtar dhe strategjik, Maqedonia e Veriut sot as nuk do të ishte në NATO dhe as në rrugën e integrimeve euroatlantike”, ka shkruar ai.
Kurti dje ka qëndruar në komunat shqiptare të Çairit dhe Tetovës, derisa në mbrëmje është organizuar në Tetovë një tubim për të ku ka performuar edhe grupi muzikor “Elita 5”.