Site icon PrishtinaPress

Ish-boksieri malazez arrestohet për kontrabandë të 22 tonëve kokainë

Ministria Amerikane e Drejtësisë akuzoi ish-boksierin e peshave të rënda nga Mali i Zi, Goran Gogiq, se ka kontrabanduar 22 tonë kokainë me vlerë mbi një miliard dollarë.

Gogiq u arrestua të dielën në mbrëmje teksa u përpoq të hipte në një fluturim për në Cyrih nga Aeroporti Ndërkombëtar i Majamit, pasi u padit nga një juri e Nju Jorkut, raportoi Reuters.

Prokurorët e akuzuan Gogiqin me tre akuza për shkelje të ligjeve federale detare për kontrabandën e drogës dhe një akuzë për komplot. Çdo akuzë mbart një dënim të detyrueshëm prej të paktën 10 vjet burg, me një dënim të mundshëm të përjetshëm.

Prokurorët pretenduan se anëtarët e një grupi të krimit të organizuar transportonin kokainë në Evropë nga Kolumbia përmes porteve të ShBA-së, duke përdorur vinça dhe rrjeta për të ngarkuar drogën në anije mallrash gjatë natës.

Operacioni kompleks kërkonte njohuri për anëtarët e ekuipazhit të çdo anijeje, të dhënat e rrugës dhe vendndodhjes, si dhe vendet për të fshehur drogën në kontejnerë tashmë në bord.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Gogiq mbikëqyri logjistikën, duke u koordinuar me anëtarët e ekuipazhit, kontrabandistët kolumbianë dhe portet evropiane për të përfituar për vete dhe kartelet e tij ballkanike.

Sipas të dhënave në dispozicion, Gogiq ishte boksier nga viti 2001 deri në vitin 2012, ai fitoi 21 ndeshje dhe humbi katër, me dy barazime./Prishtinapress/

Exit mobile version