Site icon PrishtinaPress

Ish-bashkëshortja akuzon kosovarin se e mbante mbyllur, gjykata dyshon

Një shtetas zviceran me prejardhje nga Kosova është akuzuar për heqje lirie, shtrëngim dhe sulm të ish-bashkëshortes. Ai mund të dënohet me burg prej 18 muajsh.

I akuzuari, një administrator i sistemit IT tashmë 29-vjeçar, fajësohet se për disa vjet me radhë e ka ndaluar gruan e tij të largohet nga banesa, në Horgen, transmeton albinfo.ch. Ajo lejohej të shkonte në punë si pastruese për disa orë, por vetëm kur shoqërohej nga ai vetë ose nga vjehrra. Sipas aktakuzës, ai e ka detyruar edhe gruan nga Kosova që ta vishte në mëngjes dhe e ka kërcënuar me thikë. Nëse ajo kërkonte të ndahej, ai do ta vriste ose do të publikonte video incizime të tyre duke bërë seks. Ai e rrihte rregullisht dhe e ndalonte të shikonte burra të huaj.

“Ai i kishte thënë asaj se kur t`i ngrinte vetullat, ajo duhej t’i largonte sytë nga burrat e tjerë ose ai do ta vriste atë”, thuhet në aktakuzë. Gruaja e kishte braktisur atë në mars të vitit 2019 dhe kishte ikur në strehimoren e grave.

I akuzuari me origjinë kosovare qe dënuar nga Gykata e Qarkut Horgen në nëntor të vitit 2021 me burgim të kushtëzuar prej 18 muajsh dhe gjobë prej 3000 frangash për heqje lirie, shtrëngim dhe sulm, shkruan 20minuten.ch. Ai gjithashtu duhet t’i paguajë viktimës 5000 franga si dëmshpërblim. Kundër aktgjykimit i akuzuari u ankua në Gjykatën e Lartë (Kantonale), ku gjykimi u zhvillua të mërkurën.

Ashtu sikurse edhe gjatë hetimeve, burri nuk ka pranuar të bënte asnjë deklaratë për këtë çështje, duke komentuar vetëm jetën e tij private. Ai tani është i divorcuar, jeton me të dashurën e tij të re zvicerane dhe është duke ndjekur kualifikimet profesionale.

Avokatja e tij kërkon shpalljen e pafajësisë sipas parimit “In dubio pro reo” (Në rast dyshimi, pro të pandehurit). Ajo i referohet fotove të celularit dhe mesazheve të bisedës ku ish-gruaja e të akuzuarit shihet jashtë me shoqe ose vizitonte motrat, pa burrin e saj, përcjell albinfo.ch. Në fotot e tjera mund të shihet e vetme, në floktore ose nëpër qendra tregtare.

“Deklaratat e bashkëshortes janë të pabesueshme dhe janë ekzagjeruar gjithnjë e më shumë gjatë hetimeve”, ka thënë avokatja. Gjykata më e ulët ishte e mendimit se fotografitë janë bërë nga i akuzuari, pra ai nuk ishte në foto. Avokati mbrojtës tha gjithashtu se nuk kishte prova që ai e kishte kërcënuar se do ta vriste.

Ish-bashkëshortja dhe prokurori nuk ishin të pranishëm në seancë. Ajo kishte bërë deklaratat e saj para Gjykatës së Qarkut të Horgenit dhe prokuroria u mjaftua me vendimin e gjykatës më të ulët.

Sidoqoftë, Gjykata Kantonale nuk ka marrë ende vendimin. Ai pritet të merret pas disa ditësh, transmeton albinfo.ch. “Është një rast juridikisht i ndërlikuar”, ka shpjeguar kryetari i trupit gjykues.

Exit mobile version