Site icon PrishtinaPress

Ish-ambasadori Bosch për zhvillimet e fundit: Regjimi i Vuçiqit e tregoi fytyrën e vërtetë – nuk duan paqe e as pajtim

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë.

Duke folur për protestën e dejshme të serbëve në veri, Bosch e quajti veprim të stimuluar nga Beogradi.

Sipas tij veprimet e tilla nga Beogradi minojnë gjithçka që është arritur për më shumë se 10 vite në kuadër të dialogut.

“Ky veprim i stimuluar nga Beogradi minon gjithçka që është arritur në më shumë se 10 vitet e fundit në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Do të thotë se regjimi i Vuçiqit e tregoi fytyrën e vërtetë: nuk ka dëshirë për paqe dhe pajtim. Ku do të shkojmë….”, ka shkruar Bosch.

Të shtunën më 5 nëntor, Lista Serbe ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq të dielën më 6 nëntor, kanë dhënë dorëheqje edhe kryetarët e katër komunave veriore./Prishtinapress/

Exit mobile version