Ish-ambasadori i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Wolfgang Ischinger në një intervistë ekskluzive për Pressing në T7 ka folur për çështjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe dinamikën e re në të cilën është involuar Perëndimi.
Ischinger për T7 ka thënë se lufta dhe agresioni rus në Ukrainë ka ndikuar në një mënyrë indirekte në çështjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, meqë siguria në Evropën Juglindore, konkretisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk është mjaftueshëm stabile.
Diplomati gjerman ka thënë se duke qenë se ka ende çështje të pazgjidhura të njohjes dhe territoriale ka bazë që BE-ja të jetë e shqetësuar, meqë s’përjashton as faktin që influenca ruse mund të shpërthejë edhe më shumë në të ardhmen.
Kjo situatë thotë Ischinger është edhe arsyeja pse tashmë ka një interes të shtuar të Brukselit, Berlinit, Parisit dhe të tjerëve për të zgjidhur problemin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kështu që po, në mënyrë indirekte çështja e pazgjidhur e situatës së sigurisë në këtë pjesë të Evropës është çështje e një shqetësimi të madh. Dhe kjo është një arsye pse tani ka një interes shumë të madh në Bruksel, Berlin, Paris dhe çdo kund dhe kjo është mirë për rajonin”, ka thënë Ischinger për T7.