Site icon PrishtinaPress

Isa Mustafa: S’pres asgjë të mirë për Kosovën nga takimi i 2 majit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet të takohen me datën 2 Maj në Bruksel.

Nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se pjesë e agjendës së takimit do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit si dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ish-kryeministri Isa Mustafa në një prononcim dhënë për ka thënë se takimi po mbahet në një kohë jo të përshtatshme. Mustafa tha se pas zgjedhjeve në veri të vendit, hapjes së urës së Ibrit, replikave Daçiq-Gërvalla në Këshillin e Sigurimit, atmosfera nuk është e volitshme për dialog.

“Takimi, në dukje të parë, mbahet në një kohë të “acaruar”. Pas zgjedhjeve në veri të vendit, vendimit të Komunës së Mitrovicës së Veriut për hapjen e urës mbi Ibër dhe rragjave Gërvalla-Daçiq në KS. Nëse të gjitha këto nuk janë lojë e të dy palëve, Kurtit dhe Vuçiqit, për konsum të brendshëm, atëherë atmosfera nuk është aq e volitshme për dialog”, tha Mustafa për Blic.

Ai foli edhe për dy temat që pritet të diskutohen në takim.

Ai tha se çështja e të pagjeturve duhet të përmbyllet sa më shpejt ndërsa hartimi i statutit të Asociacionit jashtë syve dhe strukturave të Qeverisë së Kosovës, është absurde. “Tema për të pagjeturit/të zhdukurit me dhunë meriton të përmbyllet sa më shpejt. Ndërkaq hartimi i statutit të Asociacionit jashtë syve dhe strukturave të Qeverisë së Kosovës, prap nëse kjo është e vërtetë, është absurde. Aq më absurde është që Kryeministri i Kosovës e ngrit në qiell Marrëveshjen e Ohrit, sipas së cilës ai po shprehet se nuk e di se kush po ia shkruan Statutin. Prandaj me këso sjellje dhe papërgjegjësi s’pres asgjë të mirë për Kosovën” tha ish-kryeministri.

 

Exit mobile version