4.8 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Isa Mustafa: Shtëpia po kallet, qeveria po krihet

“Shtëpia po kallet, e qeveria po krihet”. Kështu e përshkruan situatën aktuale në Kosovë, ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Në disa përgjigje në pyetjet me shkrim për Periskopin ish- kreu i LDK-së, vlerëson se pozicioni i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, por edhe të brendshëm është në pikën më delikate. Mustafa ka theksuar se në rrugën e shtetndërtimit “asgjë nuk është e dhënë përgjithmonë”.

“Është një situatë shumë delikate, në të cilën Kosova po ballafaqohet me sfidat për të ruajtur të arriturat e shtetndërtimit, sepse asgjë nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Mustafa.

Ish kryeministri Mustafa ka thënë se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti çështjen e Kosovës e ka shndërruar në çështje të sigurisë rajonale.  Mustafa thekson se kjo gjendje veçse do t’ia bëjë më të vështirë pozicionin e saj si palë në dialogun me Serbinë, ndërsa nuk ka përjashtuar edhe rëndim të gjendjes ekonomike e sociale.

“Formalisht është nën sanksione të BE-së, joformalisht edhe të SHBA-së dhe të aleancës euroatlantike. Kosova tregoi më së miri se është shumë vështirë të ndërtosh shtetin e shumë lehtë që atë ta rrezikosh me sjellje të papërgjegjshme ndaj aleatëve kryesor të saj. Pushteti aktual, çështjen e Kosovës nga rrafshi politik e shndërroi në çështje të sigurisë rajonale. Prandaj kanë qenë të pritshme masat për ta parandaluar eskalimin e situatës. Kjo do ta rëndojë shumë pozitën e Kosovës në dialog dhe në relacione ndërkombëtare, sikurse dhe gjendjen ekonomike dhe sociale në vend”, ka thënë ish-kryeministri.

Mustafa thotë se “kokëfortësia” e kryeministrit Kurti për të mos u koordinuar me aleatët ndërkombëtarë, duke refuzuar çdo kërkesë të tyre është parë edhe më herët në histori, por se liderët dhe vendet e tyre kanë pësuar një fund të keq.

“Kurti i solli sanksionet por ai po vazhdon me avazin e vjetër. Njoh edhe lider të tjerë që janë sjellur me mospërfillje ndaj ruajtësve të paqes por kanë përfunduar keq edhe ata edhe vendet e tyre”, ka thënë Mustafa.

Pasi Bashkimi Evropian i komunikoi Kosovës një sërë masash ndëshkuese si pasojë  e mosveprimit të Qeverisë së Kosovës për deeskalimin e situatës dhe reagimin e opozitës ndaj kësaj goditjeje, Mustafa e sheh këtë të fundit si të përkushtuar për të ruajtur partneritetin ndërkombëtar. Ndërsa pjesa tjetër thotë se i takon qeverisë, për të cilën thotë se “po krihet”.

“Sa po e përcjell situatën, opozita po kundërshton rrezikimin e partneritetit ndërkombëtar nga qeveria. Nuk po merret me fondet dhe aspektin sesi ato do të trajtoheshin në pakon e sanksioneve. Për këtë do duhej të mendonte pushteti. Qeveria dhe ministritë po sillen sikur të mos kishte ndodhur asgjë- shtëpia po kallet e qeveria po krihet”, ka theksuar Mustafa.

E iniciativën e ish partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e kanë emëruar si “Rruga e Tretë” për daljen nga kriza, Mustafa e cilëson si ‘këndellje të opozitës”. Ai madje i ka vlerësuar si pozitive edhe kërkesat e partive të tjera opozitare për rrëzimin e qeverisë së Kosovës.

“Nuk jam në rrjedhë të kësaj iniciative, por po lexoj për një këndellje të opozitës, për iniciativa dhe qëndrime të një opozitarizmi të qëndrueshëm. Përfundimisht hoqën dorë nga sintagma se qeveria po punon keq, po e dëmton vendin por se ne nuk jemi të interesuar për ta rrëzuar. Kur e panë që qeveria po e rrëzon Kosovën, opozita mori kurajo të thotë se duhet rrëzuar qeverinë e jo Kosovën”, ka thënë Mustafa.

Isa Mustafa ka qenë kryeministër i Kosovës nga viti 2014-2017. Ai udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës për më shumë se 10 vjet.

Aktualisht, Mustafa nuk është aktiv në jetën politike, pasi u hapi rrugë zgjedhjeve në ish partinë e tij, në krye të së cilës u vendos Lumir Abdixhiku me një proces të rregullt zgjedhor.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img