Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka pasur asnjëherë marrëveshje që Vjosa Osmani të bëhet kryetare e LDK-së.
Më 2019, disa javë para zgjedhje parlamentare të 6 tetorit, Osmani ishte zgjedhur si kandidate për kryeministre e LDK-së, ndërkohë Mustafa si kryetar për një mandat të tretë. Mustafa thotë se ky ishte konsensusi që ishte arritur brenda partisë dhe se nuk ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë me askënd.
“Nuk ka pasur asnjë marrëveshje. Kemi qenë tre muaj diku para se të hyjmë në zgjedhje partiake. Kam paralajmëruar kryesinë dhe kryetarët e degëve se unë më nuk jam i interesuar të jem kryetar i LDK-së. Arsyet kanë qenë edhe shëndetësore dhe që të mos dal në terren kur duhet të takohesh me të gjitha degët e të marrësh pjesë në tubime. Kam thënë se nuk mund të marr këtë përgjegjësi. Do të ishte pengesë e punës së partisë dhe e shoh të arsyeshme që kam kryer dy mandate. Ka pasur diskutime që kanë zgjatur mjaft shumë. Kemi menduar se mund të gjejmë zgjidhje dhe pastaj kemi tre-katër kandidatë e Kuvendi t’i zgjedh. Më thanë se ti duhet ta marrësh kryesimin, më detyruan në njëfarë forme. Pastaj u dakorduam që nëse nuk mund të vazhdoj mandatin për ndonjë arsye, prej gjysmës të marrë dikush. Ka pasur orientim që të kemi Vjosa Osmanin, Lutfi Haziri apo tjetërkënd si kryetar. Mendoj se ata i kanë matur gjasat e tyre. Mirëpo them me përgjegjësi të plotë se nuk ka pasur marrëveshje me askënd. Të gjithë e panë se cdo zgjidhje tjetër do të sillte probleme partiake”, tha ai.
Ndryshe, LDK doli e dyta në zgjedhjet e 2019-ës me vetëm rreth 1% më pak vota se sa VV-ja. /Gazeta Express/