2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Isa Mustafa i bën një analizë videos së VV-së: Mungon vetëm e veja e Mao-s

Dje Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video ku sulmohen figurat që kanë qenë në pushtet në vitet e kaluar, para se partia e Albin Kurtit të vijë në pushtet. Në mesin e këtyre figurave, që sipas VV-së e kanë shkatërruar Kosovën, është edhe ish-kryeministri Isa Mustafa. Për këtë të fundit, kjo video është “sjellje idioteske”. 

Në një prononcim për Gazetën Express ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se videoja e VV-së është e ngjashme “me një bandë të drejtuar nga e veja e Mao Ce Dunit, që organizonte dhe poshtëronte figura të rëndësishme kineze”.

“Në kohën e Revolucionit Kulturor Kinez, një bandë e drejtuar nga e veja e Mao Ce Dunit organizonte dhe poshtronte figura të rëndësishme kineze. Çdo gjë dukej ngjashëm me videon e VV-së; mungon vetëm e veja e Maos (e cila më vonë përfundoi në burg për persekutimet që i bëri)”, tha Mustafa për Express. 

Sipas tij, kjo video “shpërfaqë mënyrën më idioteske të sjelljes së një partie që ka fituar zgjedhjet në një shoqëri demokratike”. 

Në videon e publikuar nga VV shihen edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi e Sami Lushtaku. Madje në këtë video shfaqen edhe fotografitë e Rrahman Jasharajt e Ymer Ymerit të SBASHK-ut.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE!”, thuhet ndër të tjerash. 

Lidhur më këtë video, mbrëmë përmes një lidhje telefonike, u deklarua Sami Lushtaku, i cili është pjesë e kësaj videoje. 

Lushtaku ka thënë se i vjen keq që janë vendosur në video ish krerët e UÇK-së që janë në Hagë. 

“Më erdhi keq për ata që janë në Hagë. Unë edhe ata që janë në Hagë jemi mësu me kësi videosh në kohën e MIlloshoviqit, kur fotografia e ime dhe bashkëluftëtarëve të mi, ka qenë vazhdimisht në mjetet e informimit serb”, ka thënë ai. 

Lushtaku ia ka sllavizuar mbiemrin Kurtit, duke e quajtur “Kurtoviq”, ndërkohë që e ka ftuar që ta aktivizojë drejtësinë mbi të nëse ka dyshime për vepra penale. 

“Kurtoviqi e ka pushtetin. Nëse konsideron që jemi hajna, le të veprojë drejtësia. E ftoj Kurtoviqin dhe sejmenët e tij, le të urdhërojnë… gjykatën e kanë, prokurorinë e kanë. Kam pritur nga kjo qeveri që minimalisht t’i ndihmojë ata që janë në Hagë, e ky publikon këso video që janë të çuditshme”, ka thënë Lushtaku mbrëmë në Pressing të T7.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img