Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar telegram ngushëllimi Familjes Gashi, me rastin e vdekjes së Dulaman Gashi, një ndër themeluesit e Degës së LDK-së në Klinë, anëtar i Kryesisë së Degës, tri mandate anëtar i Asamblesë Komunale, ish-Drejtor shumëvjeçar i Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Sferkë, bashkë themelues i Shtabit të UÇK-së “Iliria”, në Sferkë me Kryetarin e Degës Fadil Gashi.
Në këtë telegram thuhet se Dega e LDK-së në Klinë do ta kujtojnë Dulamanin si një veprimtar i devotshëm dhe i palodhshëm në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Më poshtë mund të lexoni të plotë telegramin:
“E nderuara Familje Gashi, me rastin e vdekjes së veprimtarit të LDK-së, Dulaman Gashi, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia dhe strukturave të LDK-së, për humbjen e anëtarit të familjes. Kjo nuk është një humbje vetëm e familjes tuaj, por edhe e LDK-së dhe Klinës, pasi që kontributi i tij, në strukturat e partisë dhe gjithë veprimtaria e tij në përgjithësi, zë një vend të merituar.
Dega e LDK-së në Klinë dhe gjithë strukturat e saj do ta kujtojnë Dulamanin si një veprimtar të devotshëm dhe të palodhshëm, në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Me respekt,
Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”