Shtetasi i dyfishtë britaniko-iranian, Alireza Akbari, i cila u dënua me vdekje në Iran, është ekzekutuar, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
Familjes së Akbarit iu kërkua të shkonte në burgun e tij për një “vizitë lamtumirëse” të mërkurën gjersa bashkëshortja konfirmoi se ai ishte vendosur në qelinë e vetmisë.
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes iraniane u arrestua në vitin 2019 dhe u dënua me akuzat e pabaza për spiunazh për Britaninë e Madhe, të cilën vazhdimisht e mohoi.
Britania e Madhe i kishte kërkuar Iranit të ndalonte ekzekutimin dhe ta lironte menjëherë, raporton bbc.
Media zyrtare e gjyqësorit iranian, Mizan raportoi gjithashtu se Alireza Akbari ishte varur, pa dhënë një datë të saktë për ekzekutimin.
Marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit janë përkeqësuar muajt e fundit që kur britanikët i vendosën sanksione policisë morale të Iranit dhe figurave të tjera të larta të sigurisë, në përgjigje të shtypjes së dhunshme të protestuesve antiqeveritar.
Irani ka arrestuar dhjetëra iranianë me shtetësi të dyfishtë ose me rezidencë të përhershme të huaj në vitet e fundit, kryesisht me akuza për spiunazh dhe siguri kombëtare.
Shtetasit britaniko-iranianë Nazanin Zaghari-Ratcliffe dhe Anoosheh Ashoori u liruan dhe u lejuan të largoheshin nga Irani vitin e kaluar pasi Britania e Madhe zgjidhi një borxh të gjatë që i detyrohej Iranit.
Megjithatë, të paktën dy britaniko-iranianë të tjerë mbeten në paraburgim, përfshirë Morad Tahbaz, i cili gjithashtu ka nënshtetësi amerikane.