Aksionet e policisë në Mitrovicën e Veriut në disa raste rezultuan të pasuksesshme pasi pati rrjedhje të informacioneve. Inspektorati Policor po dyshon mund të ketë zyrtarë policorë të përfshirë në shpërndarje të informatave dhe se tashmë kanë filluar hetimet për zbulimin e këtyre personave.
Kushtrim Hodaj, kryeshef ekzekutiv i IPK-së, tha se dyshon se për këto informacione po dalin pasi para zhvillimit të aksioneve në atë pjesë po përfshihen agjenci të ndryshme të sigurisë dhe sundimit të ligjit.
“Dyshojmë që ka pas rrjedhje të informacioneve për shkak se në momentin që ka arritur policia në lokacionet për të cilat ata kanë qenë të destinuar të bastisen del që informacionet kanë qenë paraprakisht të personat e dyshuar dhe nuk janë gjetur në vendin e caktuar”, tha ai.
Ky institucion ka marrë dritën e gjelbër nga Prokuroria e Shtetit për të filluar hetimet ndaj zyrtarëve policorë që dyshohen për shpërndarje të informacioneve.
“Ne kemi filluar disa hetime, disa autorizime prej prokurorëve që të zhvillojmë hetime në drejtim të zbulimit se kush i ka nxjerrë këto informacione. Sigurisht që mund të ketë zyrtarë të inkriminuar në rrjedhje të informacionit”, tha Hodaj.