1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Intervistimi i Mihalit, nga VV e cilësojnë të qëllimshëm para zgjedhjeve: Ka me pasë shumë akuza, ndoshta edhe arrestime

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, është intervistuar dje nga Prokuroria Speciale. Nga partia në pushtet e kanë cilësuar intervistimin e saj të qëllimshëm, duke e lidhur me zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt. Vetë Mihali pas intervistimit tha se ka shkuar në prokurori për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës.

Prokuroria Speciale ka intervistuar dje për disa orë zyrtaren e Vetëvendosjes, Dejona Mihalin.

Në njoftimin e PSRK’së është bërë e ditur se e njëjta është intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa cështje penale që po hetohen nga kjo prokurori.

“Prokuroria Speciale informon se sot, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim”, ka thënë PSRK.

Pas intervistimit, Mihali është deklaruar shkurt para gazetarëve që e prisnin para objektit të prokurorisë.

“Po për të ndihmuar prokurorin në zbardhjen e së vërtetës”, ka thënë Mihali.

Nga partia në pushtet nuk është pritur mirë intervistimi i saj.

Deputeti i VV’së, Artan Abrashi, e ka cilësuar si të qëllimshëm, duke theksuar se u intervistua pesë muaj para zgjedhjeve.

Ai ka sulmuar Kryeprokurorin Blerim Isufaj dhe opozitën, duke thënë se qëllim e kanë luftimin e Vetëvendosjes.

“Tash, Blerim Isufaj, i cili nuk është emëru Kryeprokuror, thotë kështu: po e bëjmë edhe ne një aktakuzë të madhe (të cilën me siguri se ka bë vetë, por i kanë ndihmu shtetet tona partnere), mirëpo 5 muaj para zgjedhjeve e fton në Prokurori, Dejona Mihalin. A e dini çfarë mesazhi është ky? Kjo do të thotë që, unë, Blerim Isufaj dhe ne e gjithë PDK e LDK, që jemi në Prokurori e nëpër Gjykata, do ta luftojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, sidomos në këtë kohë fushate. “Fundja, s’ka lidhje pse janë të pafajshëm. Ne e kemi fuqinë të dërgojmë njerëz në burg edhe pa faj.” – po nënkuptohet kjo punë”, ka shkruar Abrashi.

Ai ka thënë se mund të ketë shumë akuza, ndoshta edhe arrestime.

“Ka me pasë shumë akuza, ndoshta edhe arrestime, mirëpo ka vetëm një gjë: KJO ËSHTË ARMA E FUNDIT E OPOZITËS, PROKURORIA E KAPUR. S’ËSHTË ASNJË E VËRTETË!”, ka shkruar ai.

Edhe deputeti tjetër, Adnan Rrustemi, e ka lidhur këtë me zgjedhjet.

“Sa më afër zgjedhjeve aq më shumë suljet speciale do të shtohen kundër VETËVENDOSJES. I njohim, ua dimë motivet e qëllimet. Do të dështojnë”, ka shkruar Rrustemi.

Reagime ka pasur edhe nga opozita.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka quajtur atë si “mashë” të kryeministrit Albin Kurti për atë që ai e quan “korrupsion masiv për 1 mijë kontratat e nënshkruara, përfshirë ato në KEK”.

Sipas Selmanajt, s’duhet habitur kur të ftohet edhe kryeministri Albin Kurti nga Prokuroria Speciale, meqë sipas deputetit opozitar, hetimet do ta implikojnë edhe kreun e Qeverisë.

“Kam thënë me kohë, që krimi dhe korrupsioni në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje është i strukturuar. Nuk vidhet dhe nuk abuzohet me paranë publike pa dijeninë e Albin Kurtit. Dejona Mihali është njëra nga “mashat” e Albinit, për korrupsionin masiv tek 1 mijë kontratat sekrete tek të gjitha ministritë, duke përfshirë edhe KEK-un. Mos u befasoni kur të ftohet për intervistim edhe Albini në Prokurorinë Speciale, sepse jam i bindur që zhvillimi i hetimeve detyrimisht do ta implikojnë edhe ate!”, ka shkruar Selmanaj.

Edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka lidhur intervistimin e saj me “mafinë energjetike”.

“Po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike. Veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë. Mafia Energjetike duhet të përballet me ligjin. Shteti ligjor dhe demokracia nuk dorëzohen para strukturave të dyshimta kriminale. Po i ngushtohet rrethi”, ka shkruar Haradinaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img