0.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Intervistë e zhvilluar me përkthyesin Elvi Sidheri

Intervistë e zhvilluar me përkthyesin Elvi Sidheri

Intervistoi: Fatijona Bajraj për PrishtinaPress

Elvi Sidheri njihet si njëri ndër përkthyesit më të mirë në trojet shqiptare gjegjesisht në Kosovë. Elvi deri më sot ka përkthyer rreth 90 vepra.. Përveç përkthimeve Elvi është edhe autor i disa veprave letrare që zënë vend të veçantë në letërsinë shqipe. Pena e Elvit premton shumë.

 

F.Bajraj: Çfarë do të thotë përkthimi për ty?

E.Sidheri: Përkthimi për mua, pikësëpari është një pasion, ndonëse mbase ky pohim mund të tingëllojë pak shabllon, por kështu është mirëfilli sidoqoftë.

Përkthimi është pjesë e pandashme e jetës sime, është si një gjymtyrë e shtuar në trupin tim, si ajri që thith nga flegrat e hundës për të gjalluar, një frymëzim i përditshëm dhe diçka që thelbësisht ma zbukuron dhe harlis jetën time në vazhdimësi.

Në njëfarë mënyrë, sikundër një i ditur i dikurshëm (René Descartes) pati thënë “Cogito ergo sum”, pra “mendoj, rrjedhimisht jam”, edhe unë mund të pohoj me plot gojë që “përkthej, lëvroj letërsi në përgjithësi, prandaj gjalloj”.

 

F.Bajraj:Përse zgjodhe pikërisht përkthimin si profesion në jetë?

E.Sidheri: Akoma faktikisht nuk e di saktësisht nëse përkthimin e pata zgjedhur unë, apo, kushedi sesi dhe përse, përkthimi më kish zgjedhur mua paraprakisht, qoftë në këndvështrimin ezoterik të kësaj ideje, qoftë gjithsesi mirëfilli.

Ngaherë e kam ditur, qysh në moshë të hershme ndoshta, se gjuhët, përkthimi, ishin pjesë thelbësore e qenies sime, teksa gjuhët kanë qenë gjithmonë të pranishme në jetën dhe familjen time (që vjen pjesërisht nga Selaniku, qyteti më kozmopolit në Ballkan gjer në fillimshekullin e kaluar), meqenëse qysh nga gjyshërit e prindërit e mi (gjuhëtarë, përkthyes e diplomatë), përherë kanë njohur, folur e përdorur gjuhë të ndryshme në profesionet e tyre.

Ndoshta, kur ende në moshë mjaft të re, rreth të shtatëmbëdhjetave, pata filluar të punoja me Kryqin e Kuq Spanjoll dhe disa OJF bamirëse spanjolle, me refugjatët shqiptarë të Kosovës, të dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre amtare prej shtypjes millosheviçiane, duke punuar njëherësh sakaq në spanjisht, anglisht dhe italisht si fillim, atëherë m’u pat krijuar përshtypja e parë e bindshme se përkthimi do të ishte profesioni dhe shtegu im jetësor në të ardhmen.

F.Bajraj: Cilat janë vështirësitë e përkthimit sot?

E.Sidheri: Janë të shumta, pa dyshim.

Nëse flasim për përkthimin letrar, që është edhe fusha ime e profesionit dhe interesit, atëherë mund të them se përkthyesit letrarë akoma nuk gëzojnë vlerësimin e duhur, as afërsisht në fakt, për të mos folur pastaj për shpërblimin financiar të punës dhe mundit të tyre, që është jetik për letërsinë e botuar në shqip, sepse përndryshe do të ishte thuajse e pamundur që kryeveprat e letërsisë botërore, të lexoheshin dhe njiheshin mirëfilli nga lexuesi shqiptar.

Ka ende njëfarë përshtypje prapanike që përkthyesi letrar është veç rrota e fundit e qerres, elementi më i shpërfillshëm i krejt procesit zinxhiror të botimit të një libri nga gjuha burimore e huaj, në shqip.

Teksa është krejt e kundërta normalisht, ngaqë, në mungesë të përkthyesit letrar, asnjë vepër e krijuar në gjuhë të huaj, kurrsesi nuk do të sillej dot në gjuhën tonë shqipe, dhe prandaj përkthyesi letrar është “sine qua non”, siç do të thoshin latinët e lashtë, domethënë i domosdoshëm në këtë këndvështrim, sigurisht i shoqëruar nga puna e redaktorit, korrektorit letrar, faqosësit, e vetë botuesit gjithashtu.

Fatmirësisht shpesh kemi të bëjmë me botues të ditur dhe dashamirës, që ia duan të mirën lexuesve pikësëpari, por që njëherësh e vlerësojnë sa duhet edhe punën tonë si përkthyes letrarë, megjithëse ndonjëherë fusha e botimeve shndërrohet në njëfarë pazari të madh fruta-perimesh, që vetëm me letërsinë nuk përputhet askund.

 

F.Bajraj: Cilat janë gjuhët nga të cilat përkthen? Cilën gjuhë e ke më të parapëlqyer për përkthimet e tua?

E.Sidheri: Duke qenë përkthyes shumëgjuhësh, kam përkthyer gjer më sot nga 8-9 gjuhë të huaja, domethënë nga anglishtja, sigurisht më shumë nga kjo gjuhë, për shkak edhe të kërkesave nga botuesit, por gjithashtu edhe plot herë nga frëngjishtja (përfshirë veprat e tre nobelistëve në letërsi), nga spanjishtja, nga italishtja, nga portugalishtja, nga rusishtja, nga kroatishtja, nga bullgarishtja dhe rumanishtja.

Ndërsa gjuha ime më e dashur, është patjetër spanjishtja, që përkon edhe me kulturën time të zemrës, dhe atdheun tim të dytë shpirtëror, pikërisht Spanjën, me të cilën kam një lidhje të veçantë kulturore, teksa letërsinë spanjolle dhe hispanike në përgjithësi, e lexoj me ëndje të veçantë, dhe gjithashtu e përkthej me pasion të pashtershëm.

F.Bajraj: Rreth sa vepra ke përkthyer deri më sot?

E.Sidheri: Rreth nëntëdhjetë vepra letrare, përafërsisht.

 

F.Bajraj: Përse zgjodhe Prishtinën për të vijuar shumicën e karrierës tënde letrare?

E.Sidheri: Edhe këtu mund të vlejë i njëjti pohim si edhe në pyetjen lidhur me përkthimin dhe mua. Domethënë që nuk e kam të qartë nëse unë e zgjodha Prishtinën, apo ajo më zgjodhi mua mbase.

Për Prishtinën kam dëgjuar vazhdimisht të flitej me dashuri dhe mall nga gjyshi im i ndjerë, ish i burgosur aty nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilit Kosova dhe Prishtina i patën mbetur plagë në zemër, dhe i cili do të përballej ballazi me regjimin monist në Shqipëri, për shkak të kësaj dashurie të tij për Kosovën.

Gjithashtu, Prishtina u bë pjesë e fatit tim, kur në prill të vitit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë, do të filloja punën si përkthyes pikërisht gjatë eksodit të detyruar të shqiptarëve të Kosovës, dhe që atëherë Prishtina e Kosova u mishëruan pashlyeshëm në jetën time.

Edhe përkthimet e mia letrare gjithmonë janë bërë në bashkëpunim me shtëpi botuese të Prishtinës, dhe ndihem krenar për faktin se librat e përkthyer (dhe shkruar si autor) nga unë, do t’u trashëgohen brezave të ardhshëm, gjithmonë përmes Prishtinës.

 

F.Bajraj: A është më e vështirë proza apo poezia për t’u përkthyer?

E.Sidheri: Një pyetje shumë me vend kjo.

E vështirë mirëfilli është vetë letërsia për t’u përkthyer, nga kushdo dhe në çfarëdo gjuhe të huaj të jetë lëvruar. Gjithsesi, varet nga autorët dhe stili i përdorur prej tyre, krahas edhe zhanrit letrat përkatës.

Poezia ndoshta është më frymëzuese për t’u përkthyer, por edhe proza shpesh ta nxit mendjen për ta përkthyer sa më denjësisht në shqip, megjithëse përgjithësisht kërkesat për përkthim i kam lidhur me prozën nga botuesit, kurse poezinë e përkthej vetë sipas ëndjes sime.

 

F.Bajraj: Cili është libri që ka qenë më i vështirë për ty në përkthim?

E.Sidheri: Nëse do të duhej të zgjidhja një prej tyre, ndoshta mund të përmend Profetin e Kahlil Gibran, një vepër mrekullisht filozofike, me fjalor tejet të zgjedhur dhe metafora e gjuhë të përzgjedhur, që të mahnit si lexues, duke të përballur me një mal thuajse të pakapërcyeshëm vështiresish si përkthyes, që gjithsesi kam pasur kënaqësinë ta shqipëroj disa vite më parë, duke konstatuar me bindje, se gjuha jonë shqipe, u përgjigjet nevojave edhe për përkthimin e veprave të tilla kaq të koklavitura, më së miri për nga fjalori, sinonimet dhe të gjitha format e tjera të nevojshme.

 

F.Bajraj: Përveç përkthimit, a keni diçka autoriale të botuar?

E.Sidheri: Po, janë pesë romane të botuara gjer më sot, krahas një libri studimor kushtuar përkthimit.

Romanet Emigrantja, Dy Botë, Erdha Pashë Dashurova, Spanjës me Dashuri dhe Dremit Lyhnidi në Vezullim, krahas librit studimor të shkruar në bashkëpunim me Anton Nikë Berishën, me titull Përkthimi Letrar, Akt Krijues i Mirëfilltë.

 

F.Bajraj: Planet që ke ndërmend të realizosh në një të ardhme të afërt?

E.Sidheri: Së shpejti, për Panairin e Librit të Prishtinës që zhvillohet në muajin qershor, do të botohet romani im i ri, me titull Hemisferat e Serenës, për të cilin kam punuar disa vite, duke mbledhur informacionet e nevojshme, duke bërë të gjitha hulumtimet përkatëse historike, krahas udhëtimeve njohëse dhe gjithçkaje tjetër që nevojitet për një roman të tillë me karakter të gjithanshëm, që përfshin disa epoka kohore dhe disa brezni familjare.

 

F.Bajraj: Shumë faleminderit Elvi që ndave kohën për ne. 

E.Sidheri: Faleminderit juve. Ishte kënaqësi. 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img