Instituti EdGuard ka publikuar të hënën raportin “Performanca e nxënësve kosovarë në testin PISA”.
66 për qind e nxënësve të përfshirë në këtë matje, kanë deklaruar se pyetjet ishin konfuze, derisa 34 për qind thanë se pyetjet ishin të qarta.
Në matje u përfshijnë 280 nxënës.
Kështu deklaroi gjatë një prezantimi, drejtori i kësaj organizate Rinor Qehaja.
Qehaja tha se rreth 50 për qind e tyre kanë deklaruar se pyetjet e PISA-s ishin të vështira mesatarisht, e mbi 21 për qind se ishin shumë të vështira.
Në raport është bërë e ditur se një pjesë e nxënësve s’e kanë marrë seriozisht këtë test pasi s’ka ndikuar direkt në notim.
“A ishin të informuar nxënësit në testin PISA? Diku rreth 89% kanë qenë të informuar. Kanë qenë të informuar për pjesëmarrje, por jo informim të detajuar për përmbajtjen. Sa të vështira ishin pyetjet për test: Diku rreth 50%, mesatarisht e 21% shumë. A ishin pyetjet konfuze? Rreth 66% kanë thënë që pyetjet ishin konfuze dhe 34% kanë thënë jo”, thuhet në këtë raport.
Tutje ky raport thekson se 76 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk kanë tentuar të komunikojnë mes vete gjatë testit të PISA-s, e 15 për qind kanë thënë se kanë komunikuar.
Ndërsa për pyetjet e lëndës së matematikës, nxënësit janë përgjigjur se ngjanin me ato që i kanë mësuar në shkollë.