1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Institucionet qeveritare, qiraxhinj me para të buxhetit

Disa nga institucionet qeveritare në Kosovë, veprimtarinë e tyre ende e zhvillojnë në objekte private, për të cilat detyrohen të paguajnë qira.
Pagesa e qirasë nga institucionet shtetërore, për ekspertët e çështjeve ekonomike, konsiderohet si e panevojshme, gjë që i kushton shtrenjtë buxhetit të Kosovës.
Vendosja e institucioneve nëpër objekte private, sipas tyre, ndodh edhe për shkak të interesave të caktuara.

Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se viteve të fundit është zvogëluar numri i institucioneve që janë të vendosura në objekte private.
Një nga institucionet shtetërore që paguan qira- për faktin se punon në një objekt privat – është Komisioni për Miniera dhe Minerale. Drejtori i kësaj agjencie, Ramiz Krasniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se që nga viti 2009 shfrytëzojnë një objekt privat, me hapësirë prej 1,300 metrash katrorë, për të cilin qira vjetore paguajnë 61 mijë e 620 euro.
“Qiraja mujore është 5,135 euro, kurse ajo vjetore 61 mijë e 620 euro.Shuma është e madhe, por në krahasim me çmimet tjera që janë në Prishtinë, në qendër, konsiderohet e volitshme. Ne, për një metër katror paguajmë 3,95 euro”, thotë Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi thekson po ashtu se kanë kërkuar nga autoritetet kosovare që të gjendet një zgjidhje për këtë agjenci, pasi paratë që jepen për qira mund të shfrytëzohen për projekte të ndryshme.
“Kemi kërkuar, konkretisht nga Ministria e Administratës Publike. Kjo ministri ka njoftuar se është ndarë një lokacion për këtë Komision. Ne kërkojmë sa më shpejt që të bëhet një zgjidhje dhe të funksionojmë në objekt shtetëror, pasi këto mjete mund të përdoren për projekte të ndryshme”, shprehet Krasniqi.
Komisioni për Miniera dhe Minerale nuk është institucioni i vetëm i vendosur në objekte private.
Zeqir Bekolli, udhëheqës i Divizionit për komunikim me media në Ministrinë e Administratës Publike, në një përgjigjeje përmes postës elektronike, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se me lëshimin në përdorim të Pallatit të Drejtësisë, shumë ndërtesa ku ndodheshin institucionet gjyqësore, u liruan dhe të njëjtat u përdorën për vendosjen e institucioneve shtetërore.
“Por, edhe më tej ka institucione që janë të vendosura në ndërtesa private, siç është rasti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Komisionit për Miniera e Minerale. Por, Ministria e Administratës Publike nuk paguan qira për institucionet që ndodhen në kuadër të ndërtesave private”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve ekonomike mendojnë se është koha e fundit që autoritetet kompetente të zhvendosnin institucionet qeveritare nga objektet private.
Naim Gashi thotë se shpenzimet për qira janë të panevojshme dhe barrë për buxhetin e Kosovës.
“Mendoj se kjo po bëhet me konflikte të pastra të interesit, për arsye se dikush përfiton nga lëshimi i këtyre objekteve më qira”.
“Prandaj, Ministria e Administratës Publike do të duhej urgjentisht që të marrë masa për akomodimin e këtyre institucioneve në institucione publike”, thekson Gashi.
“Edhe po të mos ekzistonin këto hapësira, qe 17 vite, me qiranë që është paguar, do të mund të ndërtoheshin objekte nga tre ose katër herë”, shprehet Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Autoritet qeveritare në Kosovë thuajse për çdo vit kanë premtuar se do të gjendet një zgjidhje për institucionet publike që veprojnë në objekte private, në mënyrë që mos të shpenzojnë mjete buxhetore për qira. /REL/PrishtinaPress.eu

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img