Pjesa më e frekuentuar e bregdetit në vend sa i takon turizmit të organizuar, Durrësi dhe Golemi, prej vitesh po përpiqen të konsolidojnë një ofertë gjithëvjetore për vizitorët. Nga viti në vit, numri i strukturave që qëndrojnë hapur edhe në dimër po rritet dhe paketat po konsolidohen gjithmonë e më shumë.
Ajo që e ushqen këtë është turizmi i fundjavave nga vendasit, por sidomos shqiptarët e Kosovës. Teksa shifrat e lëvizjes së shtetasve flasin për një “bum” turistik në vend, strukturat akomoduese në zonën e Golemit shprehen se numri i vizitorëve në përgjithësi ka qenë njëlloj si në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu i Kosovës, nga ana tjetër, ka shënuar ulje të shifrave, duke e bërë aktivitetin më sfidues. Grupet e para të të huajve pritet të vijnë në mars dhe prill.
Durrësi dhe Golemi, edhe pse një epiqendër e turizmit të organizuar gjatë verës, janë ndoshta ndër destinacionet më të vizituara gjatë gjithë vitit, kryesisht në fundjavë.
Zhvendosja masive e kryeqytetit shqiptar, por edhe e rajoneve të tjera të afërta, kanë ndikuar në rritje të numrit të hoteleve që mbajnë hapur dyert nga viti në vit edhe pse shtylla kryesore mbeten në fakt shqiptarët e Kosovës.
Turizmi patriotik cilësohet pjesa më e rëndësishme e turistëve që gjallërojnë bregdetin e këtij rajoni gjatë vitit. Dimri i butë që lamë pas, ku temperaturat e ulëta ekstreme munguan, krijuan përshtypjen se edhe frekuentimi i bregdetit do të ishte më i lartë falë kohës së mirë.
Perceptimi mbështetet edhe në statistikat e lëvizjes së shtetasve, ku në janar u raportuan 377 mijë shtetas të huaj që hynë në vend, gati 94.2% më shumë.
Por teksa kjo shifër mund të jetë e vërtetë dhe ky “lumë” turistësh të jetë shpërndarë kudo nëpër Shqipëri, në strukturat e Durrësit nuk është reflektuar me ndonjë rritje domethënëse, madje turistët nga Kosova kanë pasur prani më të dobët se vjet.
Shifrat e vizitorëve afërsisht si në vitin 2022
Strukturat akomoduese më të mëdha në bregdetin e Durrësit kanë qenë aktive si çdo vit në hartimin dhe ofrimin e paketave “half board” (fjetje dhe dy vakte të përfshira) për vizitorët e fundjavave, një praktikë që vijon prej vitesh dhe parapëlqehet sidomos nga shqiptarët e Kosovës. Përfaqësuesit e këtyre strukturave nënvizojnë se ecuria e vizitorëve është njëlloj si vitin e shkuar, pa ndonjë rritje të dukshme.
“Dimri ka qenë i mirë, mund të themi me po të njëjtat shifra si viti i shkuar. Ka lëvizje shumë të vogla, që nuk bëjnë diferencë. Gjithsesi, duhet të themi se situata ka qenë e mirë për sektorin. Të paktën 80% e strukturave në bregdetin e Golemit apo Durrësit kanë qëndruar të hapura.
Pak prej tyre janë mbyllur”, – tha Blerim Norja Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”. Të njëjtën tendencë konfirmon edhe administratori i FAFA Group, Fatos Çerenishti, një ndër grupet me kapacitetin më të madh akomodues në vend prej 1800 shtretërish. Sipas tij, shqiptarët e Kosovës kanë pasur një prani më të ulët për dy arsye.
“Dimri ka pasur turistë, por nga ajo që konstatoj ka rënie me 20-30% në raport me vitet e tjera. Mendoj se këtu ka pasur ndikim rënia e numrit të turistëve nga Kosova.
Arsyet e kësaj tkurrje kanë të bëjnë me një situatë më të dobët ekonomike, për shkak të krizës së çmimeve me të cilën jemi përballur të gjithë, biznese e individë, por ndoshta ka ndikuar disi dhe situata politike.
Është jo shumë e ngrohtë si situatë dhe luhatjet rrisin pasigurinë, duke i bërë njerëzit më të kujdesshëm.
Prania më e lartë e turistëve nga Kosova ka qenë gjatë festave të nëntorit dhe më pas, frekuentimi ka qenë i tkurrur”, – nënvizon z.Çerenishti.
Prej disa kohësh, në lëvizjet e shtetasve, mbetet e paqartë mënyra sesi llogariten hyrjet nga Kosova, duke qenë se nga mesi i vitit të shkuar, dy qeveritë u angazhuan për kalim të lirë të qytetarëve pa qenë nevoja të regjistrohen në pikën doganore.
Kjo praktikë, e cila fillimisht u deklarua se do të zinte vend vetëm në sezonin turistik dhe gjatë fundjavave, në fakt u deklarua se do të shtihej gjatë gjithë vitit.
Në mars-prill vijnë grupet e para të huaja, kontratat me garanci në maj
Ardhja e pranverës shënon edhe mbërritjen e grupeve të para të turistëve të organizuar në Durrës, por të interesuar për turet ditore kulturore në zonat përreth.
Hotelet konfirmojnë se grupe nga Gjermania, Austria apo Sllovenia pritet të vijnë në mars dhe prill.
“Grupet e huaja fillojnë tani në mars-prill. Presim kryesisht sllovenë, gjermanë, austriakë. Janë grupe që vijnë në vizita 2-3-ditore, vendosen në hotel në Durrës, por vizitojnë gjatë ditës vende si Berati, Kruja. Tendenca e sllovenëve në këto ture ishte pranishme që vitin e kaluar.
Tani presim që të vijnë edhe grupe bullgarësh që i kishim për festat e fundvitit dhe kanë rezervuar edhe për Pashkë”, konfirmon z.Norja.
Ai konfirmon se kontratat me garanci me tregje si Çekia apo Polonia mbeten aktive, madje interesi për Shqipërinë si destinacion është në rritje në raport me një vit më parë, pasi shitjet e raportuara nga agjencitë e huaja janë dy herë më të larta.
Turizmi i organizuar, i dedikuar për detin dhe rërën, shënon hapjen e sezonit veror, që nis kryesisht në maj për një pjesë të strukturave. Harta e atyre që pritet të vijnë është pak a shumë e ngjashme me vitet e shkuara, ku diferencën e bëjnë vetëm nordikët që edhe pse të pranishëm, nuk vijnë me kontrata garancie.
“Ne kemi kontrata garancie aktualisht me polakët dhe çekët, ndërkohë që me nordikët, situata mbetet ashtu siç kemi thënë. Ata kanë kaluar në ‘allotment’ (paguaj sa sjell) dhe kanë nënvizuar se do të paguajnë vetëm për numrin e turistëve që do të sjellin për akomodim.
Gjithsesi ne jemi të lumtur që ata nuk janë tërhequr përfundimisht nga Shqipëria, pasi kjo do të ishte diçka vërtet negative. Janë turistë elitarë, të cilët përbëjnë vlerë t’i kesh në grupin e atyre që të vizitojnë dhe ndikojnë pozitivisht në imazhin e vendit”, – pohon z.Çerenishti.
Ai nënvizon se Shqipëria ka nevojë për një vëmendje të shtuar, për tërheqjen e tregjeve të huaja dhe të një turisti më elitar, për të rritur të ardhurat. Në të njëjtën mënyrë duhet të rritet cilësia, pasi konkurrenca nga tregjet e tjera është bërë agresive.
Turizmi në janar, të huajt rritje 94.2%, më shumë shqiptarë ikin jashtë
Viti 2023, të paktën sipas shifrave zyrtare, ka nisur mirë për sektorin e turizmit. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në janar hynë në vend 377 mijë shtetas të huaj, me rritje 94.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nuk kanë munguar as daljet e shtetasve shqiptarë nga vendi. Po sipas INSTAT, në janar 2023 dolën nga vendi 542 mijë shtetas shqiptarë, me një rritje 45.8% me bazë vjetore.
Sipas njoftimit të INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në janar 2023, janë 833.450. Ky tregues rezulton me rritje 83,6%, krahasuar me janar 2022.
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë janar 2023, janë 954.933, duke shënuar një rritje me 57,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet e shtetasve
Në janar 2023, numri i shtetasve shqiptarë që hynë në territorin shqiptar është 456.239. Ky numër është rritur me 75,6%, krahasuar me janar 2022. Numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar është 377.211. Ky numër është rritur me 94,2%, krahasuar me janar 2022.
Daljet e shtetasve
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit janar 2023 janë 542.113.
Krahasuar me janar 2022, ky numër është rritur me 45,8%.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë në janar 2023, janë 412.820. Krahasuar me janar 2022, ky numër është rritur me 75,3%.
Në janar 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 366.257 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 7.051 dhe 1.308 shtetas./Monitor.al/