Site icon PrishtinaPress

Inspektorati Policor pjesë e konferencës NIAIA në Texas të SHBA-së

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj me bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të ICITAP-it Amerikan në Kosovë, përfshirë Atasheun e DoJ ICITAP në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Kimberly Riffe, po marrin pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA) në Fort Worth, Texas të SHBA-ve.

Bëhet e ditur se delegacioni i IPK-së u mirëprit nga Kryetari i bordit kapiten Chris Ray dhe zyrtarë tjerë të delegacioneve mbikqyrës të Agjencive Policore në SHBA. Gjatë punimeve të konferencës po diskutohet për sfidat e mbikëqyrjes policore dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave nga agjencitë homologe.

“Konferenca po zhvillohet nga data 28 deri 31 gusht 2023, ku ndër tjera po diskutohet për metodat e avancuara të hetimit, sfidat e hetimit të zyrtarëve të përfshirë në përdorim të forcës dhe përdorim të armëve, teknika të avancuara të intervistimit duke përfshire zbutjen e traumës gjatë intervistimit, nevojën e përditësimit të bazës ligjore me trendët në zhvillim si dhe përdorimin e rrjeteve sociale dhe burimeve të hapura në hetime nga autoritetet mbikëqyrëse të Policisë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të IPK-së.

NIAIA është organizatë në kuadër të së cilës bëjnë pjesë mekanizmat mbikëqyrëse të policive në SHBA. Kosova përmes IPK-së nga viti 2021 është anëtare e barabartë e kësaj organizate si shtet i parë evropian krahas agjencive të zbatimit të ligjit në SHBA.

Në njoftim thuhet gjithashtu se IPK vazhdon të përkrahet fuqishëm nga Departamenti i Shtetit dhe Ambasada Amerikane, ku përmes INL dhe ICITAP-it po kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të IPK-së, duke përfshirë edhe realizimin e pjesëmarrjes së rregullt në punimet e konferencës.

Exit mobile version