Site icon PrishtinaPress

Insistimi i Kurtit, paralajmërimi i Serbisë për “vijat e kuqe” dhe deklarata e Borrell dhe Escobar pas takimit maratonik në Ohër

“Serbia po i ikë nënshkrimit”, ishte një ndër deklaratat e para që kryeministri i vendit, Albin Kurti, e theksoi pas takimeve maratonike me presidentin Vuçiq, që përshkuan 18 marsin në Ohër.

Lideri i Kosovës, përkrah dakordimit me presidentin serb për aneksin e implementimit të marrëveshjes, ishte i gatshëm edhe që ta nënshkruajë aty-për-aty.

Një qasje të tillë, Kurti e bëri të ditur ende pa filluar takimet në Ohër. Për më tepër, ai pati thënë se ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe kur u takua me Vuçiqin në Bruksel, më 27 shkurt.

Se e konsideron të rëndësishme nënshkrimin e marrëveshjes, kryeministri Kurti e ritheksoi në një kërkesë drejtuar ShBA-ve dhe BE-së, të cilëve u kërkoi që ta implementojnë një mekanizëm për ta detyruar Serbinë që ta firmosë ujdinë.

Për të, marrëveshja e arritur nuk konsiderohet ligjërisht e obligueshme nëse nuk nënshkruhet.

Në një takim që pati dje me ambasadorët e akredituar në Kosovë, Kurti u citua t’u ketë thënë se “derisa Serbia vazhdon t’i ikë nënshkrimit, ne mbesim të përkushtuar për dialog konstruktiv”.

Sidoqoftë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çelësi i obligueshmërisë së marrëveshjes nuk qëndron te nënshkrimi.

Në një deklarim online para gazetarëve ndërkombëtarë, I Dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se “përqendrimi te nënshkrimi është vërtet i panevojshëm”.

Ai konsideron se marrëveshja e nënshkruar është ligjërisht e obligueshme në çdo aspekt, me vetë faktin se të dy liderët janë pajtuar për t’i përmbushur kriteret e parapara sipas propozimit të BE-së, shkruan Reporteri.

“Pra, nënshkrimi nuk ishte problemi; ishte obligimi, gjë kjo e cila u përqafua lirshëm nga të dy vendet. Dhe përsëri, mirëkuptimi, mirëkuptimi i qartë nga të dyja palët, se çfarë pritej dhe çfarë do të merrte secila palë. Pra është një marrëveshje në çdo aspekt”, deklaroi emisari Gabriel Escobar.

Ndërkaq, në anën tjetër shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, teksa u ka raportuar ministrave të Bashkimit Evropian për rezultatet e takimeve në Ohër, në kuadër të përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka komentuar mosnënshkrimin e marrëveshjes duke thënë se nuk ndodhi për shkaqe ligjore, pa shtjelluar më tepër.

“Nuk kishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por të dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, tha ai.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje është përfshirë në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne do të përcjellim implementimin e marrëveshjeve. Shtetet anëtare e kanë shprehur përkrahjen”, tha Borrell.

Sipas tij, disa prej pikave janë më urgjente se tjerat. Këtu listoi themelimin e Asociacionit.

Në anën tjtër, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm ta zbatojë marrëveshjen e arritur me Kosovën në Ohër, por deri te vijat e kuqe.

“Vijat tona të kuqe, me të cilat nuk pajtohemi përfshijnë njohjen reciproke: jo njohje e Kosovës dhe as anëtarësim i Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Daçiq gjatë ditës së djeshme.

Kosova dhe Serbia, të shtunën e 18 marsit në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili është i obligueshëm për të dyja palët që nga momenti i publikimit të tij.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, por se Serbia sërish nuk e ka nënshkruar të njëjtin.

Exit mobile version