Mostakimi i Kryetarit të Preshevës me Përfaqësuesit e Kosovës zgjoi reagime të shumta. Por, prej ku derivon ky mostakim dhe a qëndron arsyeja e këtij refuzimi te indiferenca e Qeverisë së Kosovës në raport me shqiptarët e Luginës? Në lidhje me këtë Gazeta Insajderi ka siguruar deklaratë nga zëvendës kryetari i Preshevës, Almin Shaqiri dhe analisti, njëherësh kryetar i këshillit për të drejtat e njeriut në Luginën e Preshevës Belgzim Kamberi.
Javët që lam pas, bartës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zhvilluan takime me përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, por nuk takuan kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
Por, prej ku derivon ky mostakim?
Nënkryetari i Preshevës, Almin Shaqiri, rrëfeu se prej kur kanë plasaritur marrëdhëniet mes Qeverisë, apo siç thotë ai Lëvizjes Vetëvendosje, me Komunën e Preshevës.
Shaqiri potencoi se që nga ardhja në pushtet ata gjithmonë kanë qenë besnik dhe të palëkundur në marrëdhëniet me Kosovën, por Qeveria e re e Kosovës ka marrë një hov të madh kundër tyre, duke mos paraparë takime me ta as në vizitat zyrtare.
“Duke marrë parasysh që nga viti 1992 kur ka qenë referendumi, qytetarët e kanë dhënë verdiktin përfundimtar që është bashkëngjitja me Kosovën. Dhe që nga ai moment ne nuk kemi rreshtur se kërkuari për t’u bashkangjitur me Kosovën, sepse ne e shohim vetën si pjesë e Kosovës Lindore, dhe si Luginë. Që nga viti 2015 kur kemi ardhur në pushtet, gjithmonë kemi qëndruar besnik dhe të palëkundur në marrëdhëniet me Kosovën dhe Shqipërinë. Por edhe pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes ne prapë kemi vazhduar traditën, kemi shkuar në takime me të, por çfarë ndodhi këtë vit?“
Ai e cilësoi si sukses vitin 2020, vit ky kur kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi së bashku me ish-ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj bën listën e unitetit të faktorit politik shqiptar në zgjedhjet parlamentare të po atij viti.
“Në vitin 2020, kur Shqiprim Arifi inicioi së bashku me ish- ministrin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, z. Gent Cakaj për ta bërë listën e unitetit të faktorit politik shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 dhe aty pati një sukses shumë të madh sepse që nga pluralizmi politik ishte hera e parë që shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin të bashkuar në një listë të përbashkët të gjitha partitë dhe kishin kushte që të hyjnë në atë listë dhe arritëm që t’i marrim tre deputetë si një sukses i jashtëzakonshëm. Kushti numër 1 i asaj marrëveshje ishte që partia më e madhe që shtrihet në tri komuna që të jetë bartëse e listës dhe në atë kohë i takoi PVD-së, deputetit Shaip Kamberi” – tha Shaqiri.
Sipas tij, situata nuk mund të qëndroi e njëjta edhe në këtë vit, kjo si pasojë që sipas tij “lojtarët ndërruan”.
Shaqiri tha se u tradhtua lista e Shqipërisë bashkë me unitetin, duke bërë kështu që marrëdhëniet e Komunës së Preshevës me LVV të përqahen, duke potencuar se
“Çfarë ndodhi në vitin 2020, nuk ndodh në 2022, për shkak se parimi ishte i njëjtë por që lojtarët u ndërruan. Në vitin 2022, neve si parti Alternativa për ndryshim na takonte numri një në listë, prijës i listës të faktorit politik shqiptar, për shkak se ishim partia më e madhe në tri kuvendet, por për shkak të egove personale nuk e lejuan ata dhe u ndan në dy lista. Ata pra e kanë tradhtuar listën e Shqipërisë, e kanë tradhtuar unitetin, kanë dal nga lista e përbashkët që ishte krijuar në vitin 2020, dhe aty kanë filluar plasaritjet e para të marrëdhënieve mes VV-së dhe neve, për shkak se ne ishim në parimet e 2020 dhe ata donin që ta ndryshonin, sepse donin ta futnin Shaip Kamberin të parin në listë” – vazhdoi tutje ai.
Arsyeja që sipas tij preshevarët nuk janë në prioritetet e vizitave të zyrtarëve të Kosovës është rrëzimi i ish-kryetares Ardita Sinani.
“Dhe pastaj kështu vazhdoi deri në rrëzimin e nga pushteti të ish- kryetares Ardita Sinani, e cila ishte në realitet e 3-ta në listë, por për shkak të bashkimit të tri partive apo katër partive, ata u bënë bashkë dhe neve deshën ta në lënë në opozitë. Për shkak të rrëzimit të Sinanit, ata kanë marrë një hov të madh kundër nesh dhe nuk na parashohin në vizitat zyrtare të tyre” – përfundoi nënkryetari i Preshevës.
Tutje, Shaqiri ftoi publikisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për një vizitë zyrtare në Komunën e Preshevës.
“Si nënkryetar i Preshevës, ftoj publikisht kryeministrin Albin Kurtin, që të vijë në komunën e Preshevës. Sepse ne e shohim vetën si pjesë të pandashme të Kosovës, sepse ashtu jemi. Nuk jemi asnjëherë dorë e Vuçiqit dhe asnjëherë nuk do të jemi” – përfundoi ai.
A qëndron arsyeja e këtij refuzimi te indiferenca e Qeverisë së Kosovës në raport me shqiptarët e Luginës.
Analisti Belgzim Kamberi, i cili është edhe Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës vlerëson se ka vend për kritika ndaj Qeverive se si i janë qasur ndër vite Luginës, duke përmendur edhe vendimet pozitive të Qeverisë aktuale, ndër to tekstet shkollore dhe ndihmat me para.
“Ndonëse ka vend për kritika përmbajtjesore dhe kredibile për politikat e Qeverive respektive të Kosovës, se si ju kanë qasur ndër vite Luginës së Preshevës, ka pasur edhe vendime pozitive nga Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës.
“Më i rëndësishmi është institucionalizimi i buxhetimit për Luginën e Preshevës, që është edhe më i rëndësishëm se vet shuma prej dy milion eurove. Pastaj puna që është bërë për tekstet dhe librat shkollore, ndihma prej 100.000 euro për vërshimet në Preshevë dhe 50.000 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar, apo së fundi ngritja e kërkesës për reciprocitet në të drejta me serbët e Kosovës në dialogun e Brukselit” – tha ai.
Tutje, ai shtoi se marrë parasysh gjendjen politike e shoqërorë të Luginës, Qeveria e Kosovës dhe ajo qe Shqipërisë duhet të krijojnë mekanizma ndërqeveritar për Luginën, në mënyrë që të mos ketë tensione.
“Duke marrë parasysh që shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë gjendjen më të vështirë politike e shoqërore në rajon, Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, mundësisht bashkërisht, por edhe ndarazi, do të duhej që më në fund t’i krijojnë mekanizmat e tyre të posaçme (ndër)qeveritare enkas për Luginën e Preshevës”– tha ai.
“Sikur t’i kishim ato, me gjasë nuk do t’i kishim edhe këto tensione aktuale midis qeverisjes lokale të Preshevës dhe institucioneve të Republikës së Kosoves e Shqipërisë” – përfundoi ai.
Kujtojmë se, qasjen e tij refuzuese, gjegjësisht mos nikoqirllëkun karshi përfaqësueseve të Kosovës, Arifi e arsyetoi duke projektuar apati për Qeverinë Kurti në raport me Luginasit.
Mos takimin, Arifi e kishte konfirmuar për Insajderin një ditë para shkuarjes së znj. Nagavci dhe z. Bislimi në Luginë.
“Nuk do te jem ne ora 15:00 në atë takim”, tha Arifi.
Ndryshe, në një Intervistë për Insajderin dhënë në gusht të vitit 2022, Arifi kishte kritikuar qeverinë e Kosovës për mos mbështetje të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kritikat e tij kanë qenë të ashpra ndaj qeverisë Kurti dhe politikat që po i ndjek kjo qeveri për mirëqenien e shqiptareve të Luginës.