Site icon PrishtinaPress

Iniciohet shkarkimi i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, me 6 vota për, një kundër dhe një abstenim ka iniciuar shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Kërkesën për shkarkim e ka bërë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Salih Zyba.

“Në vlerësimin që i kemi bërë në raportimin që ka qenë punë e këtij bordi mendoj se sot është vetëm çështja e votimit. I qëndroj kërkesës sime”, tha ai.

Por, kundër shkarkimit është shprehur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fadil Nura.

“Është e paarsyeshme, ne e kemi analizuar mirë e kemi pa edhe raportin e auditimit ka qenë ndër më të mirët. Unë jam kundër”, tha ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se duhet të bëhet një analizë e secilit anëtarë veç e veç dhe jo të ketë votim kolektiv.

“Sikur kur kanë qenë vlerësimet individuale kur janë emëruar e njëjta procedurë duhet të jetë edhe tash. E kam problem në parim votimin kolektiv”, tha ai.

Kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli, tha se kur bordi ka raportuar nuk ka arritur të bëjë dallime se kush ka punuar mirë dhe kush jo.

“Nuk kam arritur të bëjë një dallim se kush ka punuar më keq apo më mirë, pasi puna ishte ekipore. Në bazë të asaj që kemi diskutuar kam një numër të vërejtjeve. Është shqetësuese ulja e numrit të udhëtarëve, siguria”, tha ajo.

Exit mobile version