Njohësit e çështje të sigurisë e kanë vlerësuar pozitive iniciativën e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për ta formuar ushtrinë me anë të ligjit.
Sipas tyre, iniciativa e presidenti ka krijuar një momentum të ri në vend, duke e aktivizuar faktorin ndërkombëtar në këtë proces.
“Iniciativa për ndryshime ligjore e krijoi një momentum të ri në Kosovë. Edhe tek institucionet vendore, por edhe te partnerët ndërkombëtarë. Besoj se edhe përkushtimi i partnerëve ndërkombëtarë për t’u përfshirë në mënyrë direkte në bindjen e serbëve që jetojnë në Kosovë për domosdoshmërinë e themelimit të Ushtrisë së Kosovës është një e arritur fillestare. Sidoqoftë, vlerësoj se presidentit Thaçi i mungoi hapi i dytë. Nuk e ndërtoi një platformë gjithëpërfshirëse institucionale dhe shoqërore për ta ndihmuar bashkërendimin”, ka thënë Burim Ramadani, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë.
Ndërsa njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë se iniciativa e presidentit ka qenë veprim i drejtë dhe i domosdoshëm.