1.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Inflacioni do të bjerë më 2024, jo domosdo edhe çmimet

Në raportimet zyrtare këtë vit inflacioni ka rënë, por jo edhe për kuletat e qytetarëve.

“Ky vit ka qenë mjaft i vështirë për të siguruar para për blerjen e produkteve elementare… Nuk pres asnjë ndryshim vitin tjetër”, thotë Mentor Berisha nga Prishtina.

Edhe për bashkëqytetarin e tij, Gafurr Kuqi, “gjithçka ka qenë më shtrenjtë – pemët, perimet, të gjitha”.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë për nëntorin dhe, sipas tyre, inflacioni në atë muaj ka qenë 2.9 për qind; në tetor ka qenë 3.3 për qind, në shtator 4.2 për qind…

Për krahasim, vitin 2022 Kosova e ka mbyllur me shkallë mesatare inflacioni gati 12 për qind.

Normës së rritjes së çmimeve – siç njihet inflacioni ndryshe – i ka dhënë shtytje pandemia e koronavirusit në vitin 2020/21, e pastaj edhe pushtimi rus i Ukrainës, më 2022.

Por, gjatë këtij viti, shumica e vendeve kanë raportuar rënie të inflacionit – kryesisht për shkak të stabilizimit të zinxhirit të furnizimeve.

Çka ndodh kur inflacioni bie?

Rënia e inflacionit nuk do të thotë edhe rënie e çmimeve, por do të thotë se çmimet rriten më ngadalë.

Vetëm herë pas here ato mund të bien pak në krahasim me muajin paraprak.

Gjatë këtij viti, REL-i ka raportuar disa herë për çmimet e larta në Kosovë dhe rritjen e vazhdueshme të tyre.

Në mars, çmimi i miellit ka rënë, por jo edhe i bukës. Sipas raportimit të atëhershëm, zbritja e çmimit të bukës nuk ka mundur të bëhet, për shkak të shtrenjtimit të rrymës dhe të fuqisë punëtore.

Në korrik, disa qytetarë që i ka anketuar REL-i, kanë thënë se e kanë të vështirë të bëjnë pushime, për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazike dhe shërbimeve.

Ndërsa, në shtator, perimet për turshi kanë qenë “të paprekshme”.

“Vitin e kaluar, nëse i ke marrë specat me thes [3 kilogramë], kanë kushtuar prej 1.5 deri në 1.8 euro. Sivjet, 3 euro e gjysmë është thesi i njëjtë, me kilogramë të njëjtë. Domatet… vjet i kemi marrë me 60 deri në 70 centë për kilogram. Sivjet i ke 1.2 deri në 1.5 euro”, ka treguar atëkohë Amir Simnica, blerës në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.

Një tregtar perimesh në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, 11 shtator 2023.

Ekspertët thonë se konsumatorët nuk ndiejnë lehtësim të menjëhershëm edhe kur norma e inflacionit ngadalësohet, sepse shumë prej çmimeve të ngritura mbeten ashtu. Derisa pagat nuk e arrijnë inflacionin, ai do të vazhdojë të rëndojë, sipas tyre.

Në Kosovë, paga mesatare është 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro – e pandryshuar qysh nga viti 2011.

Blendi Hasaj, nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP në Prishtinë, thotë se, në bazë të analizave që ka bërë, një familje që i ka shpenzuar 500 euro gjatë një muaji në vitin 2021, gjatë vitit 2022 është dashur ta rrisë këtë buxhet për rreth 60 euro. Ndërsa, gjatë vitit 2023, shuma që është shpenzuar në vitin 2021, është dashur të rritet për 80 euro “për t’u konsumuar sasia e njëjtë e produkteve sikurse në vitin 2021”.

Cilat janë parashikimet për 2024?

Parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane janë se shkalla e inflacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor do jetë 3 për qind në vitin 2024.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, parashikon që Kosova ta përmbyllë vitin 2023 me normë mesatare inflacioni 5.4 për qind.

Në janar të këtij viti, derisa ka qenë në krye të BQK-së, Mehemti ka parashikuar rënie të inflacionit deri në 6 për qind në gjashtëmujorin e dytë të 2023-shit.

“Pritjet janë që në vitin e ardhshëm [2024] inflacioni vjetor, përafërsisht, të jetë rreth 3.6 për qind. Vetëm në vitin 2025 presim të kemi një inflacion prej 2 për qind”, thotë Mehmeti për REL-in.

Sipas tij, energjia elektrike është një ndër produktet që është shtrenjtuar më së shumti dhe efekti, pastaj, ka qenë zinxhiror.

“Ne te gjithë jemi familjarë dhe e dimë se çfarë kemi blerë me 100 euro para pandemisë… tani duhet shumë më shumë para për ta mbushur shportën e konsumit. Kemi inflacion më të lartë te produktet bazike”, thotë Mehmeti.

Duhet kujtuar se çmimet, vitin e kaluar, kanë marrë hov kryesisht nga çmimet globale të energjisë. Analiza të ndryshme thonë se ato do të bien – jo sa kanë qenë para pushtimit rus të Ukrainës – por se çdo rënie e çmimeve të energjisë do të marrë kohë për t’u vërejtur në ekonominë e gjerë.

Ekspertët, po ashtu, tërheqin vërejtjen se rënia e çmimeve nuk do të ishte domosdoshmërisht gjë e mirë, pasi do të sinjalizonte një ekonomi të dobët, me zvogëlim të produktivitetit.

Inflacioni negativ ose deflacioni ka të ngjarë të çojë, pastaj, në rritje të konsiderueshme të papunësisë dhe ulje të pagave.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në vend sillet në më pak se 12 për qind.

Të dhënat e publikuara nga ASK-ja në fund të shtatorit treguan se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në Kosovë u nda për blerjen e artikujve ushqimorë.

Sipas ASK-së, familjet kosovare shpenzuan rreth 300 për qind më shumë para për ushqim sesa për banim, vitin e kaluar./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img