Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Zveçan, ku persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në objektin e Postës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe Posta e Kosovës, e cila ka theksuar se asnjë sulm nuk do të ndikojë në angazhimin e saj për të ofruar shërbime cilësore dhe se punën do ta vazhdojnë pa ndërprerje.
Posta e Kosovës e ka cilësuar këtë akt si një “krim” dhe ka kërkuar një hetim të plotë të rastit nga autoritetet kompetente, duke kërkuar gjithashtu që ata që janë përgjegjës të përballen me drejtësinë.
Reagimi i plotë:
“Sot, pas mesnate, zyra postare Zveçan-2, e vendosur në qendër të Zveçanit, është sulmuar me mjete shpërthyese.
Posta e Kosovës Sh.A. dënon ashpër këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
Ky sulm nuk na zmbraps në përkushtimin tonë për të ofruar shërbime cilësore dhe për të zgjeruar prezencën postare në të gjithë vendin.
Njoftojmë qytetarët se në këtë qytet vazhdon të jetë funksionale edhe zyra postare Zveçan-1, e cila ndodhet në objektin e komunës.
Falënderojmë Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe profesional. Së shpejti edhe zyra postare Zveçan-2 do t’u rikthehet në shërbim qytetarëve”, thuhet në reagimin e postës.