Një ditë më parë në Spitalin e Vushtrrisë kishte ndodhur një incident ndërmjet një personi që e kishte të shtrirë në spital bashkëshorten me fëmijë dhe gjinekologut Blerim Feka.
E lidhur me rastin sot ka dhënë detaje Policia e Kosovës, gjersa njofton se i dyshuari, mjeku Feka është intervistuar nga Policia.
“Prishje e rendit dhe qetësisë publike. Vushtrri 10.10.2022 – 12:30. Derisa ankuesi mashkull kosovar kishte pasur të shtrirë në spitalin e Vushtrrisë bashkëshorten dhe fëmijën e vet për trajtim mjekësor, i dyshuari mashkull kosovar në detyrë nuk ka lejuar të realizoj vizitë”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari është intervistuar, ndërkaq me vendim të prokurorit i njëjti lirohet në procedure të rregullt.
Ndryshe, shefit të Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, Blerim Feka, i cili të mërkurën u përfshirë në një ngatërresë me babanë e një foshnjeje që ndodhet në trajtim mjekësor në këtë institucion shëndetësor do t’i jepet vërejtje nga Këshilli drejtues i Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed”, deri në përfundim të hetimeve nga prokuroria.
Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed”.
Sipas përgjigjes së tyre dërguar Telegrafit, pas vërejtjes dhënë mjekut Feka do të presin rezultatet e hetimit nga prokuroria./Prishtinapress/