Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda referuar zhvillimeve të fundit në territorin e shtetit të tyre ku një raketë la të vdekur dy persona tha se “asgjë nuk tregon se ky ishte një sulm i qëllimshëm ndaj Polonisë”.
Duda konfirmoi kështu fjalët e Joe Biden, i cili sipas mediave britanike i informoi vendet e G7 dhe partnerët e NATO-s se shpërthimi ishte rezultat i veprimeve të mbrojtjes ajrore ukrainas, raporton AP.
“Me shumë mundësi ka qenë një aksident fatkeq”, tha Duda, duke shtuar se “nuk ka absolutisht asnjë provë rrethanore që do të na lejonte të konkludojmë se ishte një sulm ndaj Polonisë”, transmeton në eporteri.net.
Siç vuri në dukje ai, “ekziston një probabilitet i lartë që të jetë një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase”.
“Me shumë gjasa është një raketë e prodhuar nga Rusia, e prodhuar në vitet 1970. Nuk ka asnjë tregues se ajo është lëshuar nga forcat ruse”, citohet të ketë thënë ai.
Siç raportoi sot Reuters, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden u tha aleatëve se raketa që vrau dy njerëz në Poloni ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.
Më herët, Biden tha publikisht se raketa kishte pak gjasa të ishte lëshuar nga Rusia. Nëse konfirmohet, kjo ka të ngjarë të lehtësojë shqetësimin se incidenti i parë vdekjeprurës në një vend të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë mund të çojë në përshkallëzim.
Ambasadorët e NATO-s pritet të zhvillojnë një takim urgjent sot për të diskutuar shpërthimin e së martës në Poloninë lindore pranë kufirit ukrainas, i cili ndodhi ndërsa Rusia po gjuante një sërë raketash në qytete anembanë Ukrainës./Prishtinapress/