Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji i ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve. Ai tha se edhe pse kjo Pashkë e gjen botën e përgjakur, një Evropë të përçarë dhe një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, ftoi të ruhet qetësia e shpirtit, shkëlqimi i shpresës dhe ngushëllimi i fesë.
“Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Europë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë. Sepse ne, që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës, sado e vështirë të jetë ajo”, thuhet në mesazhin e Imzot Dodë Gjergji.
Dodë Gjergji tha se lut Zotin që kjo Pashkë të bëhet për të gjithë një fillim i ri, ku paqja dhe pajtimi ndërmjet njerëzve në vend dhe në mbarë botën të bëhen qëllimi i përbashkët.
“Sidomos për ata që mbajnë përgjegjësi shoqërore, politike dhe ushtarake, të cilët janë të thirrur të çlirohen nga urrejtja, cinizmi dhe mentaliteti i vetë-mjaftueshmërisë – pa marrë parasysh nëse janë besimtarë apo jo. Sepse jemi të bindur se çdo njeri e di dhe e pranon: paqja është më e dobishme se lufta, dashuria është më e fuqishme se urrejtja, dhe jeta është më e fortë se vdekja. Ne lutemi, edhe pse e dimë se nuk mund ta ndryshojmë gjithë botën – por mund ta ndryshojmë veten tonë dhe mënyrën si ecim në këtë botë – dhe kjo mjafton që të bëhemi rrezatim i Atij që i ndryshon zemrat, i shenjtëron kohët dhe e shpëton njeriun nga vdekja – duke u bërë shenjë e gjallë e pranisë së Krishtit të Ngjallur në mesin tonë”, tha Dodë Gjergji.