Site icon PrishtinaPress

Importi i pakontrolluar i qumështit vazhdon të dëmtojë qumështin vendor

Në tregun e Kosovës janë mbi 20 brende të qumështit në paketim tetrapak që importohen nga Sllovenia, Bosnja, Gjermania, Polonia, Shqipëria, Turqia, Maqedonia etj. Këto brende i gjejmë nëpër marketet tona gjithandej vendit.
Prodhues vendor dhe shoqata të qumështarëve janë të shqetësuar me këtë import të madh që po i dëmton ata.
Në kompaninë për prodhimin e qumështit VITA, që është prodhues i vetem i qumështit në tetrapak, thonë së importet e pakontrolluara jo vetëm që po ndikojnë në zhvillimin e industrisë së qumështit mirëpo po krijojnë edhe mundësi që kjo industri të shkojë në regres.

Përfaqësues të kësaj kompanie thonë se në vitin 2015 – 2016 ka pasur edhe raste të mbylljes së fermave për shkak të mos mundësisë së plasimit të qumështit.
“Qumështi Vita në tregun e Kosovës, mesatarisht mund të blihet më çmim prej 0.8 – 0.9 euro, ndërsa në treg mund të blihen produkte të importuara me çmime më të ulëta. Kjo na bënë të mendojmë seriozisht se çfarë “qumështi” mund të blejmë nga importi apo shtetet fqinje janë duke bërë dumping në tregun tonë?”, thonë në VITA.
Në këtë kompani janë të punësuar rreth 200 persona, ndërsa edhe 3 mijë të tjerë konsiderohen si përfitues të jashtëm, siç janë fermerët, që janë më të rrezikuarit nga konkurrenca e jashtme.
“Ka produkte të tilla të cilat shiten në të njëjtat rafte me qumështin, mirëpo ato nuk janë qumësht, por janë pije qumështi, që në esencë sa i përket vlerave ushqyese nuk kanë të bëjnë asgjë me qumështin”, thonë zyrtarë të kësaj kompanie.
Këtë vit kjo kompani pritet të grumbullojë 25 milionë litra qumësht të freskët nga fermerët kosovar. Ndërsa sipas VITA-s kjo sasi paraqet rreth 30 për qind të sasisë vjetore të qumështit të freskët në Kosovë.
Zyrtarët e VITA-s thonë se embargoja e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse, ka bërë që në Kosovë të vërshojnë produktet e qumështit të disa vendeve që tradicionalisht kanë eksportuar në Rusi (si p.sh. Polonia) prodhime të cilat në raste të caktuara në treg janë shitur edhe me çmime nën 0.50 euro.
Edhe Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit tha se tregu i Kosovës përballet me një konkurrencë të madhe sa i përket importit.

“Kosova ka kapacitetet për ta mbuluar tregun vendor me qumësht si dhe produkte të qumështit. Ne kemi kërkuar nga qeveria që të ndërmarrë masa pasi që, siç po shihet tregun tonë e kanë rrëmbyer produktet e importuara të cilat po rrezikojnë prodhuesin vendor, mirëpo deri me tani nuk është së janë parë efekte pozitive.”
Në një tryezë të mëhershme të Klubit të Prodhuesve ku është diskutuar pikërisht çështja e qumshtarëve, Vezir Januzaj, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kishte thënë se janë duke punuar në implementimin e programit për mbështetjen sektorit të qumështit.
Ai ka thënë se janë të vetëdijshëm që ky sektor përballet me sfida të shumta mirëpo sipas tij duhet të punohet bashkërisht për të arritur një nivel më të mirë. Në këtë tryezë Januzaj tha se nga viti 2008 Ministria me mbështetje edhe të USAID-it ka ndarë rreth 40 milionë euro grante dhe subvencione për përpunuesit e qumështit.
Për të kontrolluar cilësinë e qumështit është përgjegjëse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë AUV.
Lamir Thaçi zyrtar për informim në këtë agjenci tha se cilësia e qumështit dhe produkteve të qumështit, ne vendin tonë është e mir. Sipas tij ketë e dëshmon llojllojshmëria e tyre dhe prania gjithnjë me e madhe, ne tregun tonë.
AUV, nëpërmes projektit Transparenca dhe Neutraliteti i Mostrave të Qumështit të Papërpunuar, në bashkëpunim me dy shoqatat e sektorit , Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqatën e Përpunuesve të Qumështit, e me mbështetje të Komisionit Evropian, dy herë në muaj, merr mostrat e qumështit nga çdo fermer prodhues që dorëzon qumësht për konsum publik.
“Mostrat testohen në aspektin e cilësisë dhe higjienë, me qëllim të ngritjes së cilësisë në produkt final”, tha Thaçi.
Ai tha se AUV në bashkëpunim me MBPZHR kanë hartuar masat për mbështetjen e qumështit në cilësi, me qëllim të nxitjes apo motivimit për fermerët që të prodhojnë qumësht sa me cilësor.
Sa i përket cilësisë së qumështit të importuar Thaçi nuk bëri vlerësime, por tha se janë brenda parametrave të deklaruara sipas standardeve në BE në fushën e sigurisë ushqimore.
Sipas një raporti me titull “Tregu i Qumështit” i publikuar në vitin 2015 nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thuhet se sasia më e madhe e qumshtiti të importuar është shënuar në vitin 2007 me 26 milionë litra. Sipas raportit, nga viti 2009 ka pasur rritje të vazhdueshme të sasisë së qumështit të importuar.
Në vitin 2010 është shtuar sasia për 7% krahasuar me vitin paraprak, duke vazhduar me trendin e rritjes së importit për çdo vit deri në vitin 2014.

Exit mobile version