Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë (SBASHK), thotë se do të vazhdojnë me grevën, derisa të plotësohen kërkesat e tyre, shkruan Prishtinapress.
SBASHK-u, kërkon nga Qeveria të mbështetën me nga 100 euro në muaj, për të gjithë punonjësit e arsimit.
Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës, nesër do të mbajë një takim ku pritet të vendosët për hapat e mëtutjeshëm që nga dita e hënë fëmijët të kthehen në shkolla.
Ndërkohë, drejtues të Sindikatës së Arsimit kanë bërë të ditur që greva do vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.
Ndërsa, Qeveria thotë se Projektligji për paga, që parasheh rritje, do të dalë së shpejti në diskutim publik dhe pastaj miratim.
Analisti Dorajet Imeri në një prononcim për portalin Prishtinapress, e sheh si zgjidhje dakordimin në mes të Qeverisë dhe sindikatave.
“Sa i takon grevës, qeveria dhe sindikatat duhet të ulën e të dakordohen në lidhje me kërkesat e mësimdhënëseve dhe grevistëve të tjerë në pajtim me mundësitë reale që ka qeveria e Kosovës”, tha Imeri.
Ndryshe, qysh në ditën e parë të fillimit të shkollave, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023.
Nga ana tjetër kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharaj më 30 gusht ka thënë se nisja e vitit të ri shkollor më 1 shtator do t’i gjejë “nxënësit në shtëpi, e mësimdhënësit në grevë”, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Deri më tani nuk ka asnjë rezultat, greva është duke vazhduar dhe se ende nuk ka një marrëveshje mes tyre. Ndërsa qindra nxënësë në Kosovë kanë mbetur jashtë shkollave./Prishtinapress/