3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Imer Zeqiri thotë se u njoftua nga mediet për “puçin” ndaj tij – Takimi në kundërshtim me Statutin

Imer Zeqiri ka dalë me një deklaratë publike pas shkarkimit nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës. Ai thotë se takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme, njëherit duke përmendur për “puç” ndaj tij.

“Sot më datë 19.05.2024, unë si Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, nga mediat kuptova se është mbajtur takim i Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj sindikate ku qenka vendosur për shkarkimin tim.

Unë nuk kam qenë i njoftuar për një takim të tillë, i bërë qëllimisht për të pamundësuar pjesëmarrjen time, dhe si i tillë është në kundërshtim me Statutin, si akti më i lartë juridik i Sindikatës së Policisë së Kosovës si dhe në kundërshtim me parimet etike e fisnike për një strukturë të tillë”.

Ai ndjen keqardhje për siç thotë “sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë”.

Zeqiri habitet se si në vendimin për shkarkim nuk përmenden arsyet.

“E lexova komunikatën e lëshuar dhe është e habitshme se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin tim. Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike?

Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi. Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?!

Në një proces të rregullt me prezencën time, do ta pranoja çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, jo kështu pas shpine. Takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme”.

Sipas Zeqirit, “veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj”.

“Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim. I falënderoj anëtarët e sindikatës dhe pjesëtarët e policisë për shumë mesazhe e thirrje përkrahëse që më kanë bërë këto ditë.

Me respekt, Imer Zeqiri, Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img