1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Ilir Peci i Zveçanit s’jep dorëheqje: S’kam vizita nga qeveritarët, por nuk na mungon komunikimi

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë se tash për tash nuk do të jap dorëheqje.

Ai shprehet se ende nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare për dorëheqje nga qeveria dhe as nga ndërkombëtarët, andaj thotë se është shumë herët të flasë për një gjë të tillë.

Sipas tij, ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka qenë sulm terrorist i organizuar nga Serbia dhe kjo e fundit duhet të dënohet nga Bashkësia Ndërkombëtare.

‘Ka qenë një sulm terrorist i organizuar nga Serbia… Ka qenë një ditë shumë e vështirë për mua si kryetar komune, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Mirëpo, falë policisë gjithçka brenda asaj dite ka përfunduar mirë dhe tani situata është më e qetë dhe gjendja është stabilizuar pak në Komunën e Zveçanit… Një organizim aq i madh, me u sulmu policia në shtetin e vet, patjetër se po (Serbia duhet të dënohet nga Bashkësia Ndërkombëtare)… Për momentin jo (nuk do të jap dorëheqje), por të shohim. … Ende neve nuk na është dorëzuar diçka zyrtarisht për dorëheqje, as nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga ndërkombëtarët. Derisa nuk na vie diçka zyrtarisht, është shumë herët me dhënë një mendim rreth kësaj”, tha ai në një intervistë për Kosova Press.

Peci, i cili po vazhdon të kryej detyrën e kryetarit që gati pesë muaj nga një zyrë alternative në fshatin Kelmend, tha se deri tani nuk ka pasur vizita nga qeveritarët, ndonëse pranon se komunikon përmes emailit dhe telefonit, kryesisht me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Mirëpo, Peci, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, bëri të ditur se vizitat nuk kanë munguar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi  dhe bashkëpartiakët tjerë, nga të cilët tha se ka marrë edhe këshilla e sugjerime.

Ai shprehet të mos jetë i sigurtë nëse do ta përfundojë mandatin e plotë të kryetarit, pasi që siç tha, gjithçka në veri ndërlidhet me rrethanat politike.

Peci flet edhe për interesimin e shtuar të qytetarëve serbë të Zveçanit për t’u pajisur me dokumente personale, të cilët kërkojnë shërbime në objektin e improvizuar komunal në Kelmend.

Ndryshe, derisa kryetari i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ushtron detyrën nga objekti komunal në veri të Mitrovicës dhe Lulzim Hetemi që udhëheqë Leposaviqin, po qëndron brenda në komunë për më shumë se katër muaj, Ilir Peci së bashku me kryetarin e Zubin Potolut, Izmir Zeqiri, kryejnë detyrat nga ambientet alternative. /KP/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img