Kompania nga Kosova “ILEAA GR GmbH”, e cila është specializuar në rrjetin e fibrit optik, më 14 maj ka pritur një delegacion të lartë zyrtarësh nga Saksonia-Anhalt.
Ky takim ka qenë një rast për të prezantuar vendpunishtet e tyre në Harzgerode të Saksonia-Anhaltit dhe për të shfaqur angazhimin e tyre në zhvillimin e rrjetit të shpejtësisë së lartë në Gjermani.
“ILEAA GR GmbH”, e themeluar nga afaristi Enis Veliqi, ka përfituar nga prania e kryetarit të komunës së Harzgerode, Marcus Weise, dhe kryetarit të Qarkut të Harz, Thomas Balcerowski, për të ndarë perspektivën e tyre rreth këtij projekt të rëndësishëm. Në këtë takim, u theksua se investimi në rrjetin e fibrit optik është i domosdoshëm për përparimin e Gjermanisë në epokën dixhitale.
Pjesë e këtij procesi është dhe bashkëpunimi i ngushtë me “Deutsche Telekom AG”, një ndër kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në Gjermani dhe në botë. Partneriteti i suksesshëm me “Deutsche Telekom AG” ka bërë të mundur realizimin e projekteve të rëndësishme me vlerë prej dhjetëra milionë euro deri më tani.