IKSHPK rekomandon SHSKUK të përgjysmojë të gjitha shërbimet

45
Advertisement

Pandemia me coronavirus nuk ka të ndalur në Kosovë, ku sot gjatë ditës janë konfirmuar edhe 96 raste të reja, duke çuar kështu totalin në 2.169.

Advertisement

E kjo gjendje ka shtyrë IKSHPK-në që t’u bëjë serish apel qytetarëve që të respektojnë masat e institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje të rrezikshme që tashmë ka prekur pothuajse të gjithë botën.

Në një njoftim për media thuhet se fluksi i shtuar i lëvizjes së qytetarëve dhe pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit me pasoja të paparashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqesë rrezik për jetën e qytetarëve.

Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.

IKSHPK apelon te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime shëndetësore, po ashtu IKSHPK apelon punëtorët shëndetësorë t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit.

IKSHPK rekomandon SHSKUK të përgjysmojë të gjitha shërbimet dhe të ndalojë rreptësisht hyrjen e përcjellësve në reparte, shërbime specialistike dhe klinika, pasi që shtimi i rasteve të reja tregon për përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit.

IKSHPK më herët ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive, teksa zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar duhet ta bëjë çdo qytetar i Kosovës dhe se çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

Ndryshe, për këtë sëmundje ende nuk ka terapi dhe parandalim me vaksinë dhe e vetmja mundësi e parandalimit është përmbajtja e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si bartja e maskave, mbajtja e higjienës dhe distanca sociale.

PostAdssFotoja e reklamës