Në Kosovë vitet e fundit është rritur numri i punëtoreve që janë duke u larguar nga vendi, e largimi i tyre po vlerësohet së është duke u bërë për shkak të pagës jo të dinjitetshme dhe kushteve jo të mira në punë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha për EO se duke marr parasysh që në shumë kompani është përgjysmuar numri i punëtorëve, vetë kompanitë tash duhet ta marrin parasysh rritjen e pagës për punëtorët.
“Mendoj që pronarët e kompanive duhet të jenë më të zëshëm se sa vetë sindikata për rritjen e pagave të punëtoreve pasi që ata po atakohen në mënyrë direkte sepse në shumë kompani tani është përgjysmuar numri i punëtoreve të këtij sektori pasi që punëtorët vetëm po mungojnë dhe mendoj që shqetësuese duhet të jetë në rend të parë edhe për pronar të kompanive”, tha ai.
Sipas Azemit është për keqardhje numri i madh i punëtoreve që janë duke u larguar, por sipas tij, jemi në një kohë që “jetojmë sot për nesër” dhe me një pagë prej 200 eurove nuk mund të ja dal as një familje në Kosovë.
“Është shumë e dhimbshme këto që jemi duke i thënë, por kemi një lëvizje jashtëzakonisht shumë të madhe të ikjeve të punëtoreve nga Kosova, në rendë të parë është çështja e pagës, por përpos pagës janë edhe kushtet tjera, mos implementimi i ligjit të punës, mos pasja fare e marrëveshjes kolektive dhe ligjeve tjera. Ka ardhur një kohë që nuk mund të pritet sepse ne po jetojmë sot për nesër, dhe me këto paga që i kemi është shumë normale që nuk mund të i’a dalin”, tha ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, tha se punëtorët po të kishin një pagë të dinjitetshme ata nuk do të largoheshin, por do ta jepnin kontributin e tyre edhe në Kosovë.
“Po kjo është shqetësuese për atë edhe ne kemi kërkuar që mundësisht të përfshihen në ligjin e pagave që të kenë një pagë të dinjitetshmet, andaj nëse ka diçka të dinjitetshme me siguri që ata do të mund të dhurojnë edhe kontribut këtu brenda në Kosovë”, tha ai.
Ai shtoi se Qeveri e Kosovës nuk është duke ndërmarr hapa për ta ndaluar këtë dukuri.
Shabani theksoi se punëtorët nuk mund të akuzohen për largimin e tyre, sepse ata janë duke kërkuar që të kenë një jetë më të mirë.
“Po mendoj që nuk është e mjaftueshme, kjo po shkakton krizën kjo është duke vazhduar shpërngulja masive, sidomos kuadrove profesionale të cilat bashkësia evropiane është duke i kërkuar, mirëpo qytetarët nuk mund t’i akuzojmë sepse ata kërkojnë zgjidhje për jetën e tyre që të kenë një mirëqenie më të mirë”, tha ai./EO