0.9 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

IKD lanson platformën online për ndihmë juridike falas

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të UN Women Kosovo dhe me financim të Bashkimit Evropian, të hënën, ka lansuar Platformën Online për Ndihmë Juridike Falas. 

Drejtori ekzekutiv i IKD, Ehat Miftaraj tha se platforma online është dizajnuar me qëllim të lehtësimit të qasjes në drejtësi, veçanërisht për gratë viktima të dhunës në familje apo të dhunës në baza gjinore.

Miftaraj shtoi se platforma digjitale, përmes mekanizmave të ndryshëm online, mundëson qasje të lehtë të qytetarëve nga grupet e margjinalizuara në shërbimet e ndihmës juridike falas të Qendrës për Ndihmë Juridike të IKD.

“Ofrimi i ndihmës dhe këshillave juridike përmes kësaj platforme siguron që kjo ndihmë të jetë efikase dhe efektive, duke ofruar dhe lehtësuar qasjen në drejtësi për secilën grua në Kosovë e cila mund të jetë subjekt i dhunës në familje apo dhunës në baza gjinore. Platforma po ashtu siguron ruajtjen e konfidencialitetit dhe dinjitetit të palëve që kërkojnë ndihmë”, bëri të ditur drejtori ekzekutiv i IKD.

Ambasadori Tomáš Szunyog, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, tha se kjo platformë është shumë e rëndësishme për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje dhe në baza gjinore.

“E përshëndes faktin që platforma është në dy gjuhët zyrtare. Të gjitha përpjekjet në luftën kundër dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës janë të rëndësishme. Nga mbledhja dhe koordinimi i të dhënave ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, politikat e përgjegjshme gjinore, qasja në reagimin institucional duke përfshirë masat parandaluese, kujdesin shëndetësor, mbështetjen psikologjike dhe fuqizimin ekonomik, si dhe qasjen në ndihmën juridike falas, janë të gjitha të rëndësishme për t’i dhënë fund ciklit të dhunës në familje.”, ka thënë ambasadori Szunyog.

Minsitrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se lansimi i platformës online është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se si Ministri e Drejtësisë e mirëpresin një gjë të tillë, për faktin se siç tha ajo, qasja në drejtësi është prioritet, e veçanërisht për këtë kategori.

“Platforma online ka për qëllim një qasje efikase, të drejtpërdrejtë dhe nuk ka kosto për viktimat, një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme”, deklaroi ministrja Haxhiu.

Koordinatorja për zhvillim në zyrën e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson tha se çdokush duhet të ketë qasje të barabartë në drejtësi.

“Platforma e re online e lansuar sot është një hap i madh përpara, për të garantuar drejtësi për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës në baza gjinore. Fakti që është lansuar gjatë fushatës globale, kampanjës 16 ditore, i jep asaj një simbolikë dhe kuptim të veçantë. Platforma e re do t’u mundësojë grave të kenë njohuri për hapat që duhet të ndërmarrin për të marrë drejtësi, veçanërisht për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. Nëpërmjet kësaj platforme, gratë dhe vajzat do të njohin të drejtat e tyre dhe do të kenë mjetin për t’i kërkuar ato”, ka thënë Richardson.

Zana Hamiti-Asllani, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve tha se viktimat e dhunës në familje dhe në baza gjinore do ta kenë më të lehtë qasjen për të kërkuar të drejtat e tyre ligjore.

“Kjo platformë të praktikohet sa më shumë në rastet kur kanë nevojë për këshilla juridike”, tha drejtoresha Hamiti-Asllani.

Ndryshe, lansimi i platformës online u realizua në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Linku i Platformës Online për Ndihmë Juridike Falas: https://platforma.ndihmajuridikeikd.org/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img