13 C
Pristina
Thursday, January 30, 2025

Buy now

spot_img

IKD-ja e padit KPM-në për ndryshimin e rregullores dhe zgjedhjen e kryetarit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Ehat Miftaraj, të martën ka ushtruar padi ndaj Komisionit të Pavarur për Media (KPM) lidhur me ndryshimin e Rregullores së Punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.

Përmes kësaj padie, IKD kërkon deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM të mbajtur më 17 janar.

Gjithashtu, IKD kërkon që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.

Ndërsa, në këtë padi, IKD konsideron se kjo dispozitë është e kundërligjshme, e vendosur në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të procedurave ligjore.

Më tej, në padi theksohet se ndryshimi i kundërligjshëm i kësaj dispozite të Rregullores ka prodhuar pasoja tjera të kundërligjshme, përmes së cilave ka ardhur deri tek zgjedhja e kundërligjshme e kryetarit të ri të KPM-së.

“Përkundër dispozitave të qarta ligjore, në rastin konkret, kryetari i ri i KPM-së, në mbledhjen e 17 janarit 2025, është zgjedhur, sa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025”, thuhet tutje në këtë padi.

Ndërkaq, sa i përket bazës ligjore, në padi thuhet se pikërisht Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Medieve, mbi bazën e të cilit është nxjerrë Rregullorja e kontestuar, në nenin 8 të tij ka përcaktuar obligueshmërinë e zhvillimit të konsultimeve publike në rastet e miratimit të akteve nënligjore.

Tutje, padia thekson se në po të njëjtin nen, paragrafi 2, përcaktohet edhe afati kohor prej së paku 15 ditë pune, të cilin publiku dhe palët e interesuara duhet të kenë në disponim për të komentuar draftin.

Në padi thuhet se përkundër këtij obligimi, KPM në takimin e mbajtur më 17 janar 2024, në të njëjtën ditë ka propozuar dhe po ashtu ka miratuar Rregulloren e kontestuar, pa zhvilluar kurrfarë konsultimi publik.

Sipas kësaj padie, mënyra e veprimit të anëtarëve të KPM-së ku është vendosur për plotësim-ndryshimin e Rregullores, duke shtuar një dispozitë në Rregullore, brenda të njëjtës ditë dhe në mungesë të konsultimeve publike dhe afateve të përcaktuara kohore, qartazi përbën shkelje të ligjit për KPM.

Andaj, në padi thuhet se për këtë arsye, vetë procesi i ndjekur për miratimin e Rregullores së atakuar është i kundërligjshëm dhe të tillë e bën edhe Rregulloren e atakuar përmes kësaj padie.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img