12.9 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

IKD: Ende s’ka nisur së zbatuari vendimi i Kushtetueses për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale

Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës ende nuk kanë nisur së zbatuari vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale

Kështu thuhet në një njoftim për media nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është adresa e fundit ku qytetarët dhe palët tjera mund të drejtohen për mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se zbatimi i vendimeve të saj është i detyrueshëm për të gjithë, por Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës ende nuk kanë nisur së zbatuari Aktgjykimin në rastin nr. KO190/19.

“Më 30 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykim, përmes së cilit ajo kishte deklaruar të pranueshme kërkesën e Gjykatës Supreme e cila kishte ngritur dyshime për kushtetuetshmërinë e paragrafi 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nënparagrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015.

Gjykata kishte vlerësuar se kjo dispozitë e Ligjit për Skemat Pensionale është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, (Barazia para Ligjit) dhe me Konventën Evropianë për të Drejtat e Njeriut (Ndalimi i Diskriminimit) dhe (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit)”, thuhet në njoftim.

Po ashtu nga KDI thonë se: “Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që brenda gjashtë muajve, jo më larg se me 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Në të njëjtën kohë, këto dispozita shfuqizohen me 15 korrik 2023”.

“Në rastin e këtij aktgjykimi, rezulton se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria ende nuk kanë nisur së zbatuari këtë aktgjykim.

Projektligji për Skemat Pensionale, ishte i përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2021 dhe 2022 për miratim në Qeveri, por i njëjti nuk ishte miratuar. Në programin legjislativ për vitin 2023, përkundër obligimit që rrjedh nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 121-të, nuk e përfshin këtë projektligj në Programin Legjislativ”.

IKD, përmes kërkesës për qasje në informata dhe dokumente publike, siç thuhet në njoftim ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nga Kryetari i Kuvendit dhe nga Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasnfereve me pyetjen se kur do të fillojnë së zbatuari obligimet që dalin nga ky aktgjykim.

“Përveç MFPT-së, kryetari i Kuvendit dhe kryetari i KBPT-së, nuk kanë kthyer përgjigje përkundër faktit që u janë dërguar dy kërkesa për qasje në informata.

MFPT, në përgjigjen e saj thotë se ‘agjenda  legjislative është dokument dinamik i cili, siç është parë edhe në të kaluarën, pëson ndryshime gjatë vitit në kuptim që numër i konsiderueshëm projektligjesh i shtohet agjendës’ “.

Në ndërkohë, pas kësaj përgjigje, siç bëhet e ditur nga IKD programi legjislativ ndryshohet tre herë: me 31 janar 2023, duke u shtuar 2 projektligje, me 9 mars 2023 duke u shtuar një projektligj dhe me 13 prill 2023 duke u shtuar 12 projektligje.

“Sërish, Projektligji për Skemat Pensionale nuk përfshihet në agjendën legjislative për vitin 2023.

Një reformë pensionale, ishte premtuar në fushatën elektorale të vitit 2021 nga partia që aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin, por e njëjta nuk është inicuar përkundër faktit që kanë kaluar dy vite të Qeverisë Kurti 2 dhe përkundër faktit që bartësit e këtyre dy institucioneve, janë në dijeni për mohimin e të drejtës në pension kontributdhënës për mijëra qytetarë të Kosovës.

IKD shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me mos nisjen e zbatimit të këtij aktgjykimi, kur kihet parasysh se vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë dhe nuk ka ndonjë arsye të veçantë që mund ta pengojë Kuvendin dhe Qeverinë të nisë së zbatuari këtë aktgjykim, për të miratuar ndryshimet e kërkuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet ndër të tjera në njoftim të IKD-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img