Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, ka publikuar raportin analitik “Shënjestrimet e dështuara”.
Nga monitorimi dhe hulumtimi sistematik i IKD-së në trajtimin e të gjitha rasteve të shënjestrara, rezulton se për pesë (5) vite, nga muaji dhjetor 2014 deri më 31 dhjetor 2019, janë shënjestruar 57 raste në të cilat janë përfshirë 443 persona, ku 343 nga ta janë bërë pjesë e aktakuzave të prokurorisë. Nga ta 194 persona janë akuzuar për vepra korruptive, kurse 149 persona i takojnë natyrës së krimit të organizuar.
IKD gjen se mekanizmi për shënjestrimin e këtyre rasteve të krimeve të rënda për liberalizimin e vizave në vazhdimësi janë shkelur kriteret e përcaktuara në Procedurat Standarde të Veprimit me rastin e shënjestrimin të rasteve.
Shumë lëndë të shënjestruara nuk i plotësojnë kriteret e PSV-ve, ndërsa shumë lëndë, të cilat i plotësojnë kriteret për shënjestrim nuk janë shënjestruar. Përderisa, fokusi i Prokurorit të Shtetit është përqendruar në raste shënjestrimin e rasteve që nuk përkojnë me qëllimin e PSV-ve, ky institucion ka injoruar rastet, të cilat hyjnë në kuadër të veprave penale të rënda dhe ku dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës apo qytetarëve të saj kalon vlerën me dhjetëra apo qindra miliona euro dhe ku mundësia për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së tillë të fituar me veprimtari kriminale është shumë e madhe, thuhet në raportin e IKD, përcjell Telegrafi.
Karakteristikë është fakti se Prokurori i Shtetit edhe në gjashtë (6) aktakuzat e ngritura gjatë vitit 2019, në të cilat janë të përfshirë 34 persona, ka akuzuar për korrupsion vetëm një person të profilit të lartë dhe 10 persona të profilit të mesëm, ndërsa 24 persona të tjerë janë qytetarë dhe një (1) polic, të cilët janë akuzuar kryesisht për vepra penale që lidhën me shit-blerjen e narkotikëve.
Prej 57 rasteve të shënjestruara në tërësi, rezulton se janë ngritur 44 aktakuza, tetë (8) raste janë në hetime, në katër (4) raste kanë pushuar hetimet, ndërsa në një (1) rast janë pezulluar hetimet.
Ndërsa, gjatë tërë vitit 2019, është arritur që nga 30 rastet sa kanë qenë në proces gjatë këtij viti vetëm gjashtë (6) raste kanë arritur plotfuqishmërinë (“Ndërtimi”, “Kontrata”, “HIB”, “UP”, “Prokurori 2” dhe “Mati”), duke lënë kështu prapa edhe 24 raste në proces gjyqësor para gjykatave të shkallës së parë dhe asaj të dytë.
Edhe përkundër faktit se shënjestrimi i rasteve kishte për qëllim trajtimin e këtyre rasteve me prioritet, nga monitorimi dhe hulumtimi i IKD-së rezulton se në mbi 90% të rasteve të shënjestruara gjykatësit shkelin afatet ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale. Jo efikasiteti në trajtimin e këtyre lëndëve dëshmohet nga trajtimi i tyre prej dhjetorit 2014 deri në fund të muajit dhjetor 2019, në të cilën periudhë, rezulton se vetëm 43% e rasteve apo 19 lëndë kanë përfunduar me aktgjykim përfundimtar, ndërsa 57% apo 25 lëndë të tjera janë akoma në proces në shkallë të ndryshme gjyqësore.
Nga 25 rastet që janë në proces, 11 prej tyre janë duke u trajtuar në shkallë të parë, 9 të tjera kanë përfunduar në shkallë të parë por gjenden në procedurë ankimore, ndërsa pesë (5) lëndë të tjera janë kthyer në rigjykim.
Karakteristikë tjetër në trajtimin e këtyre rasteve përbën fakti se shumica e lëndëve të shënjestruara janë duke dështuar që të përfundojnë me aktgjykime dënuese. Nga 19 rastet e gjykuara me aktgjykim përfundimtar, ku janë përfshirë 58 persona të akuzuar, 40 persona apo 69% të tyre, janë liruar nga gjykatat, ndërsa 18 persona apo 31% të tyre, janë dënuar. Politika e dënimeve ndaj këtyre 18 personave nuk është adekuate dhe përmes saj nuk arrihet qëllimi i dënimit. 13 prej të akuzuarve janë dënuar me burgim efektiv, ndërsa pesë (5) të akuzuar janë dënuar me gjobë.
Politikë joadekuate të dënimeve, vërehet edhe në rastet e gjykuara në shkallë të parë, të cilat ende janë duke vazhduar në procedurë ankimore. Në këto raste, ku janë të përfshirë 81 persona të akuzuar, rezulton se gjykatësit kanë dënuar 50 persona apo 62% të tyre, ndërsa kanë liruar 25 persona apo 31% të tyre, ndërsa për gjashtë (6) persona është veçuar procedura. Prej 50 personave të dënuar në shkallë të parë, rezulton se 13 persona janë dënuar me burgim efektiv, 12 persona janë dënuar me gjobë, ndërsa ndaj 25 personave janë shqiptuar dënime me kusht.
Në këtë periudhë raportuese, me vendimet e Gjykatës së Apelit për kthimin në rigjykim të rasteve “Feronikeli dhe “Stenta”, janë prishur dy (2) vendime të shkallës së parë me të cilat si rrallë herë tre (3) persona të profilit të lartë, ishin dënuar me dënime me burgim. Përderisa në rastin “Feronikeli” ish-kryetari i Komunës së Lipjanit Shukri Buja, ishte dënuar me tri (3) vite burgim, në rastin “Stenta”, me dy (2) vite e gjashtë (6) muaj burgim ishte dënuar ish-Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ndërsa me dy (2) vite ishte dënuar ish-Sekretari i kësaj ministrie Gani Shabani.
Në 44 aktakuzat e shënjestruara janë përfshirë 294 persona. Prej tyre 195 persona apo 66.3% të akuzuar i takojnë profilit të ulët, 60 persona apo 20.4% profilit të mesëm, ndërsa vetëm 39 persona apo 13.2% të akuzuar i takojnë profilit të lartë.
Prokurorët kanë dështuar të argumentojnë dhe të paraqesin kërkesa për konfiskim të pasurive nën dyshimin se janë përfituar përmes aktiviteteve kriminale në rastet e shënjestruara. Pothuajse në të gjitha rastet me aktgjykim dënues të formës së prerë, prokurorët kanë paraqitur kërkesa për konfiskim të pasurisë apo mjeteve, e cila konfiskohet sipas ligjit në të gjitha rastet pavarësisht nëse do të ketë aktgjykim dënues apo lirues.
Problematikë tjetër që ka ndikuar në mos efikasitetin dhe zvarritjen e këtyre rasteve të shënjestruara ka qenë ndryshimi i shpeshtë qoftë i prokurorëve që kanë përfaqësuar aktakuzën, ashtu edhe me ndryshimet e kryetarëve të trupit gjykues, ndryshime të cilat kanë ndikuar në zvarritje dhe moszgjidhje të këtyre lëndëve. Vlen të theksohet rasti “Dëmi”, në të cilin deri tash janë ndryshuar tre kryetar të trupit që ka ndikuar që edhe pse janë mbajtur 19 seanca gjyqësore, ky rast tash do të gjykohet nga pika 0, ndërsa nga 19 dhjetori 2018, akoma nuk është arritur të mbahet asnjë seancë.
Edhe pse nuk ka ndodhur më herët, në gjysmën e dytë të vitit 2019, në dy prej rasteve të shënjestruara “Vizat” dhe “Veteranët”, në të cilat për mashtrim, konkretisht korrupsion, janë duke u akuzuar ish-udhëheqës të lartë të shtetit e ish-deputet, trupet gjykuese, në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës e Kodin e Procedurës Penale, kanë obliguar mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë seancat gjyqësore që raportimi për personat e akuzuar dhe dëshmitarët të bëhet vetëm me iniciale, kufizim ky i cili nuk ekziston sipas KPPRK-së.
IKD rekomandon përsëri Prokurorin e Shtetit dhe Koordinatorin për Shënjestrimin e rasteve që të zbatojnë me përpikëri kriteret e përcaktuara me PSV, lidhur me identifikimin dhe shënjestrimin e rasteve të krimeve të rënda, duke mos rritur numrin e lëndëve në kundërshtim me kriteret dhe duke mos anashkaluar rastet e krimeve të rënda, ku përfshihen profili i lartë dhe dëmet milionëshe.
Lëndët e shënjestruara të trajtohen si prioritet nga gjykatat dhe prokuroritë në mënyrë që të mos zvarritet procesi gjyqësor dhe procedurat gjyqësore në të gjitha shkallët dhe të njëjtat të përfundohen në afat të arsyeshëm kohor, duke respektuar afatet ligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Gjykatësit të zbatojnë obligimet ligjore ndaj prokurorëve, avokatëve dhe palëve tjera, të cilat nuk i arsyetojnë mungesat që ndikojnë në shtyrjen e rasteve të shënjestruara.
IKD po ashtu rekomandon që të hiqet ndalimi i raportimit të rasteve të shënjestruara të cilat në kundërshtim me ligjin pengojnë raportimin apo identifikimin vetëm me iniciale nga seancat gjyqësore të këtyre rasteve.
Për më tepër, rreth monitorimit dhe hulumtimit sistematik të rasteve të shënjestruara, gjeni të bashkangjitur Raportin “Shënjestrimet e dështuara”, si dhe një prezantim i shkurtër i gjetjeve kryesore të këtij raporti, të përgatitur në sllajde, i cili ishte paraparë të shërbejë për prezantim në konferencë për media.