Site icon PrishtinaPress

​IKD: Drejtësia dështoi në luftimin e korrupsionit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED, të shtunën, ka prezantuar raportin me titullin “Dështimi i drejtësisë në luftimin e korrupsionit”.

Sa i përket raportit hulumtues, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se gjatë vitit 2022, Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit.

Kjo, sipas tij, ka ardhur si rezultat i asaj se gjatë vitit 2022, Prokurori i Shtetit nuk ka arritur që të zgjidhë lëndë aq sa edhe ka pranuar.

“Përkatësisht, gjatë kësaj periudhe kohore, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur lëndët e 826 personave derisa ka pranuar lëndë për 1140 persona. Kështu, në fund të vitit 2022, numri i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit është ngritur për gjithsej 314 lëndë”, ka thënë ai, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Shala ka thënë se nga monitorimi i IKD-së, gjatë vitit 2022, Prokurori i Shtetit ka akuzuar gjithsej 98 persona për vepra të ndryshme penale të korrupsionit. Sipas numrit të personave të akuzuar për korrupsion e para renditet Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe më pas e dyta Prokuroria Themelore në Prishtinë. Derisa me numrin më të vogël të personave të akuzuar për vepra penale korruptive e fundit për nga renditja e ka Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Sa i përket profilit të akuzuarve për vepra penale korruptive, që IKD ka identifikuar, Shala tha se nga 98 personat e akuzuar, vetëm shtatë (7) prej tyre konsiderohen të akuzuar të profilit të lartë .

Tutje, Shala ka thënë se gjatë vitit 2022, nga tetë persona të profilit të lartë të akuzuar për korrupsion, vetëm një prej tyre u akuza për pozitën të cilën aktualisht e mbanë.

Po ashtu, ai ka theksuar se ngritja e aktakuzave për korrupsion nga Prokurori i shtetit, po bëhet pa zhvilluar hetime me metoda dhe teknika të veçanta, duke shtuar se IKD ka analizuar 20 aktakuza të ngritura për vepra penale të korrupsionit, dhe se në asnjë nga këto aktakuza Prokurori i Shtetit nuk ka aplikuar masat të fshehta me rastin e zhvillimeve të hetimeve.

Në anën tjetër, Lavdim Makshana, hulumtues në IKD, ka thënë se në gjykata numri i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit gjatë vitit 2022 ka shënuar rritje.

Makshana u shpreh se kategorizimi i lëndëve të korrupsionit si lëndë me prioritet absolut nuk është reflektuar në praktikë dhe se gjykatat nuk kanë zgjidhur këto lëndë brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Në lidhje me këtë, ai ka përmendur rastin ndaj ish-kryepunëtorit të Trepçës Zhivorad Millutinoviq, që akuzohet se ka përvetësuar argjend në vlerë prej 40 mijë euro. Në këtë rast, sipas Makshanës ishin caktuar 11 seanca, nga të cilat gjashtë (6) janë mbajtur, ndërsa pesë (5) prej tyre kanë dështuar të mbahen. Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur në vitin 2018, dhe nga seanca e fundit kanë kaluar pesë (5) vite. Ky rast është kthyer në rigjykim një herë dhe ende nuk ka marr epilog pavarësisht se aktakuza është ngritur qysh para 14 vitesh.

Makshana po ashtu tha se kthimi i lëndëve të korrupsionit në rigjykim nga Apeli vazhdon të mbetet problematikë. Pasi sipas tij çdo e treta lëndë është kthyer në rigjykim. Nga gjithsej 64 lëndë të vendosura në vitin 2022, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim 21 prej tyre. Shprehur në përqindje i bie se 32.8% e lëndëve të korrupsionit.

Tutje, Makshana ka thënë se edhe në vitin 2022, ka vazhduar politika e ulët e ndëshkimit në rastet e Korrupsionit, kryesisht me gjobë.

Ai shtoi se sipas të dhënave të KGJK-së, ndaj 27 personave, gjykatat kanë shqiptuar dënime me gjobë, ndaj 15 personave kanë shqiptuar dënime me burgim, derisa në tri (3) raste kanë shqiptuar dënime me kusht. Shprehur në përqindje, i bie se në 60% të rasteve, dënimet e shqiptuara për korrupsion kanë qenë dënime me gjobë.

Makshana theksoi se politika ndëshkimore në rastet e korrupsionit ishte subjekt i trajtimit edhe nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën dhe Raportit të progresit, ku thuhej se dënimet zyrtarëve të nivelit të lartë shpesh ishin të buta dhe se gjykatat nuk po zbatojnë sistematikisht udhëzimet për shqiptimin e dënimit të Gjykatës Supreme të vitit 2018.

Ai po ashtu ka thënë se nga mos efikasiteti i gjykatave janë parashkruar gjatë vitit 2022 janë parashkruar rastet ndaj 28 të pandehurve të akuzuar për vepra penale korruptive në 16 raste.

Sipas Makshanës, problem i parashkrimit duket se do të jetë evident edhe gjatë viteve pasuese, pasi janë mbi 101 të akuzuar të tjerë për vepra penale të korrupsionit zyrtar, rastet e të cilëve parashkruhen brenda tri viteve të ardhshme.

Exit mobile version