Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset. Dyqanet në Kosovë janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, e që të njëjtit më pas arrijnë që për një kohë të arratisen nga drejtësia.
Kështu kishte ndodhur pak ditë më parë në një lokal në Suharekë, ku disa persona të panjohur kanë arritur të vjedhin armë, para të gatshme e gjësende tjera që kapnin vlerën e rreth 1 mijë eurove.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që të dyshuarit të identifikohen dhe të njëjtit janë arrestuar.
Të dyshuarit gjatë intervistimit nga organet e hetuesisë kanë pranuar se kanë kryer veprën në fjalë, teksa kanë pohuar se janë përfshirë edhe në disa vepra tjera të ngjashme.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që njëri nga të dyshuarit të dërgohet në mbajtje, ndërsa tre të dyshuarit tjerë të cilët janë të mitur, do të hetohen në liri për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.