Kohët e fundit janë shtuar zërat për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme apo edhe krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.
Kjo ide fillimisht erdhi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pranoi të hyjë në Qeveri me kusht që që ajo të bëhet gjithëpërfshirëse.
Analisti Donik Sallova thotë se historikisht LDK-së i ka kushtuar elekotralisht bashkëqeverisja me PDK-së.
Sipas tij, kjo sepse nga elektorati është parë si shkelje e parimeve morale dhe politike të LDK-së duke bashkëpunuar me kundërshtarin politik.
“Megjithatë kësaj radhe situata disi ndryshon, e para sepse sot LDK konsiderohet parti me e madhe se PDK-ja dhe është vete kjo mazhorance aktuale e cila ka kërkuar me ngulm përfshirjen e opozitës, veçanërisht LDK-së në dialog. Por, LDK-ja nuk po pranon ta paguaj koston e bashkëpjesëmarrjes ne dialog, pa imponuar një bashkëqeverisje të gjerë, ku do përfshiheshin sa më shumë parti, dhe ku LDK-ja do ta kishte kryeministrin dhe dikasteret kryesore. Po ashtu, LDK ka parashtruar si kusht edhe largimin e Kryetarit të Kuvendit Veseli, meqë ka konsideruar që PDK nuk mund t’i ketë dy poste kryesore institucionale, duke aluduar qe presidenti me se shumti e përfaqëson PDK. Kështu, kësaj radhe LDK është disi në ofensive kundrejt PDK-së e cila është në hall me Haradinajn i cili është bërë shkak i ngrirjes së marrëdhënieve me SHBA-të dhe këtë kosto nuk dëshiron ta paguaj PDK-ja, madje askush në Kosovë”, ka thënë ai.
Sallova ka theksuar se disavantazhi i vetëm i LDK-së në përfshirjen eventuale në një bashkëqeverisje të gjerë, ku bën pjesë edhe PDK-ja, është mundësia e përçarjes përbrenda.
“…duke qenë se ka individë brenda LDK-së që fitojnë vota ekskluzivisht duke kundërshtuar çdo veprim politik të Hashim Thaçit. Kjo mund të ishte elektoralisht e përshtatshme për disi individë, por në fund mund ta sillte LDK-ne ne pozicionin që të detyrohet nga “miqtë tanë” ta votojë marrëveshjen me Serbinë në Kuvend pa qenë e përfshirë fare në negociata dhe kështu kostoja politike mund të jetë e madhe për këtë parti”, ka shtuar Sallova.
Ndërsa, analisti Blerim Burjani thotë se PDK për të zgjidhur taksën po mundohet që përmes zgjedhjeve të lirohet nga kryeministri Haradinaj i cili po pengon agjendën ndërkombëtare rreth dialogut.
“PDK mundohet qe as AAK dhe Haradinaj të mos krijojnë favore nga rrethanat aktuale, pra që nga taksa te përfitojë në elektorat vota dhe në anën tjetër LDK të frenohet e të mos ketë avantazh politik qe përkohësisht e ka, pra idenë e një qeverie kalimtare është e favorshme për PDK dhe Thaçin, ne njërën për të përfunduar dialogun me Serbinë, e në anën tjetër të rrisë avantazhin politik ne zgjedhjet e mundshme pas përfundimit të dialogut me Serbinë. Pra, ka angazhim të përkohshëm të një qeverisje të riformuluar, qeveri teknike”, ka thënë Burjani.
Kujtojmë se përfaqësues të LDK-së janë shprehur të gatshëm të shkojnë drejt një Qeverie gjithëpërfshirëse derisa të mbyllet dialogu me Serbinë, pasi që edhe nuk ka kohë të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve të reja.