Site icon PrishtinaPress

Ibrahimovici e godet Ronaldon: Lëri dokrrat, po deshe sfidë shko fitoje titullin me një skuadër të nivelit të dytë

Zlatan Ibrahimovic e ka kritikuar ashpër Cristiano Ronaldos, i cili kishte sugjeruar se Lionel Messi duhet të transferohet në kampionatin italian Serie A për një sfidë të re.

Ronaldo e braktisi Real Madridin dhe iu bashkua Juventusit për 100 milionë euro verën e 2018-s, duke thënë se kaloi në Serie A për t’u përballur me një sfidë të re, transmeton Gazeta Express.

33-vjeçari portugez ka shkëlqyer në Itali deri tani, pasi i ka shënuar 14 gola në 19 ndeshje dhe kryeson listën e golashënuesve në Serie A.

Menjëherë pas transferimit të tij në Itali, Ronaldo e sfidoi Messin, 31-vjeçar, duke thënë se superylli i Barcelonës duhet të luajë në Itali për ta dëshmuar se është më i miri i të gjitha kohëve.

Megjithatë, Ibrahimovic, i cili ka fituar tituj të ligave në Holandë, Itali, Spanjë dhe Francë, si dhe Kupën e Ligës në Angli dhe Evropa Ligën me Manchester Unitedin, këmbëngul se Messi nuk ka çfarë të dëshmojë.

Në fakt, ai ka thënë se Ronaldo është duke folur dokrra sepse duke kaluar në Juventus ka zgjedhur opsionin më të lehtë.

“Cristiano është duke folur për sfida të reja. Ai e quan sfidë kalimin në një klub për të cilin tashmë është normale të fitojë ligën në vendin e vet”, tha 37-vjeçari.

“Përse s’e zgjodhi një klub nga një ligë e nivelit të dytë para ca vitesh? Le të tentojë të bëhet kampion me një ekip të nivelit të dytë dhe t’i udhëheqë ata drejt niveleve të larta, kjo është sfidë”, shtoi ai.

Exit mobile version