Site icon PrishtinaPress

Ibrahimi thotë se qeveria ka paraparë amandamentimin e disa ligjeve kyçe pas presionit nga komunat

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se Qeveria e Kosovës në planin legjislativ ka përfshirë amandamentimin e disa ligjeve kyçe, si Ligji për Financat e Pushtetit Lokale, Ligji për Tatimin në Pronë dhe Ligji për Prokurimin Publik.

Ai ka thënë se këto ndryshime vijnë si rezultat i presionit të pushtetit lokal për më shumë autonomi financiare dhe lehtësim të barrës tatimore për qytetarët.

“Ky veprim sipas mendimit tim, mund të interpretohet si një reflektim i nevojës për koordinim më të mirë mes qeverisë qendrore dhe komunave, por gjithashtu edhe si një lloj lëshimi nga ana e qeverisë për t’iu përshtatur kërkesave të nivelit lokal”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë se themelimi i Grantit të IV për Investime Kapitale dhe ndarja e mjeteve buxhetore nga Qeveria e Kosovës ka nxitur reagime, veçanërisht për shkak të perceptimit se disa komuna janë favorizuar, ndërsa të tjerat janë diskriminuar në këto ndarje

“Në Ligjin për Financat Lokale besojmë që do të parashihet edhe Granti Specifik për Shërbime Sociale, i cili synon të mbështesë komunat në ofrimin e shërbimeve sociale për qytetarët. Ky grant ka rëndësi të veçantë për përmirësimin e kushteve të grupeve të cenueshme, si fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë.E meta e tërë këtij procesi është që unë nuk besoj që zbatimi i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal do të zbatohet në vitin 2026 për shkak parimeve që burojnë nga Ligji për Financat Publike”, ka thënë ai.

Ndryshimet në Ligjin për Tatimin në Pronë, sipas tij,  kanë shkaktuar shqetësime të mëdha për qytetarët, sidomos kur faturat e tatimit janë rritur deri në 200% në disa raste. Kjo ka nxitur një kërkesë të fuqishme nga komunat dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) që ky ligj të rishikohet dhe amendamentohet.

“Ligji për Prokurimin Publik ka qenë një tjetër burim shqetësimi për komunat dhe për autoritetet lokale, kryesisht për shkak të burokracisë dhe procedurave të komplikuara që janë përfshirë në ligjin aktual. Kjo burokraci ka krijuar vonesa dhe ka bllokuar procese të rëndësishme zhvillimore, duke penguar avancimin e projekteve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve lokale”, ka thënë Ibrahimi.

Exit mobile version